E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton Thanzën gjyqtar të Kushtetueses

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje Admir Thanzën në detyrën e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Admir Thanza do të zëvendësojë Gjergj Saulin, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, që është dhe limiti për pension i anëtarit të institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Admir Thanza, aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe mandati i tij si anëtar i KLD-së përfundon në datën 20 janar, bashkë me dy anëtarë të tjerë. Gjithashtu, Thanza aktualisht mban edhe detyrën e anëtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vendi ka mbetur bosh në Gjykatën Kushtetuese pas largimit të Gjergj Saulit, i cili ka lënë detyrën e tij, pasi ka mbushur moshën e pensionit. Në bazë të nenit 127 të Kushtetutës, mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, mbaron ndër të tjera edhe kur anëtari mbush moshën 70 vjeç, moshë të cilët aktualisht ka dhe zoti Gjergj Sauli. Gjithashtu, ligji parashikon se në rastet kur vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Kushtetuta parashikon që Presidenti i Republikës të emërojë me pëlqimin e Kuvendit një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. Duke respektuar Kushtetutën e vendit, Presidenti i Republikës, ka firmosur dekretin e tij, duke e kaluar tashmë "topin" në fushën e Kuvendit, i cili sapo të çelë sesionin e ri parlamentar për vitin 2009, duhet të vendosë me votë të fshehtë, nëse është dakord që Sauli të zëvendësohet me Admir Thanzën apo jo. Gjykata Kushtetuese e ka marrë këtë vendim formal të largimit të ish-kryetarit Sauli dy ditë më parë, ku zyrtarizoi edhe mbarimin e mandatit të anëtarit, për shkak të daljes së tij në pension.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›