E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, goditet me thikë mjeku 65-vjeçar

Një mjek është goditur me thikë në qafë, duke u plagosur rëndë për jetën, në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen “Hajrro Çakëri”. Kosta Koci 65 vjeç, me profesion mjek neurolog, ishte duke shkuar në klinikën e tij private, ndërsa është qëlluar me thikë disa herë në qafë nga një person i paidentifikuar. Autori më pas është larguar në këmbë, duke iu shmangur arrestimit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat janë angazhuar në arrestimin e personit që qëlloi mjekun. Neurologu është transportuar menjëherë në spital, ku ai ndodhet në një gjendje të vështirë për jetën.

Ngjarja

Ka qenë ora 17:20 kur neurologu Kosta Koçi ka shkuar në klinikën e tij private në lagjen “Hajro Çakërri”. Neurologu ka parkuar makinën dhe ndërsa po dilte, drejt tij është afruar një person, i cili ka nxjerrë një thikë dhe ka sulmuar 65-vjeçarin. Agresori e ka qëlluar tri herë në qafë mjekun, duke i shkaktuar atij plagë të thella dhe duke dëmtuar arterien kryesore. Menjëherë, ai është larguar nga vendngjarja në këmbë. Ndaj mjekut të plagosur është dhënë ndihma e parë, duke e nisur atë drejt spitalit të Vlorës. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij është shumë e rëndë, pasi i dëmtuari ka pësuar plagë të thella në qafë. Ai ka humbur shumë gjak dhe mjekët po luftojnë për t’i shpëtuar jetën.

Policia

Forcat e Policisë të qytetit të Vlorës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, pasi morën njoftimin për një plagosje të ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”. Ata kanë mbledhur të dhënat e para në lidhje me agresorin e neurologut. Gjithashtu, edhe hetuesit kanë nisur nga puna për përcaktimin e shkaqeve që çuan në plagosjen e 65-vjeçarit. Agjentët e policisë kanë nisur nga aksioni për kapjen e agresorit, që qëlloi neurologun. Gjatë momentit të plagosjes, Koçi ishte drejtuar për tek klinika e tij private, ku ai kishte lënë një vizitë me një paciente. 65-vjeçari kishte disa kohë që kishte dalë në pension, por ai vazhdonte që të ushtronte profesionin e tij në mënyrë private.

Më 12 prill, një tjetër sulm me thikë ndaj mjekut Rifatllari

Para një muaji e gjysmë ndodhi një tjetër agresion ndaj bluzave të bardha. Më 12 prill është qëlluar me thikë shefi i kardiologjisë në spitalin “Nënë Tereza”, Ali Rifatllari. Ai u qëllua nga 35-vjeçari Arben Strazmiri, pasi ky i fundit e fajësonte atë për vdekjen e dajës. Rreth dy javë para kësaj ngjarjeje, shefi i Kardiologjisë pranë spitalit "Nënë Tereza", Ali Rifatllari, ka kryer operacionin e një pacienti, i cili ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se për kryerjen e këtij operacioni të vështirë ishte marrë miratimi i familjarëve të pacientit. Familjarët ishin njoftuar më parë nga kirurgu për pasojat që mund të kishte pacienti edhe pas operacionit, i cili kryhej me qëllim përmirësimin e gjendjes së tij. Por përballë këtij rreziku, familjarët kishin pranuar ndërhyrjen kirurgjikale. Mirëpo vetëm dy javë pas operacionit, pacienti ndërroi jetë. Fill pas kësaj, nipi i tij, 35-vjeçari Arben Strazimiri, ka fajësuar kirurgun Rifatllari si shkaktarin e vdekjes së dajës, ndaj dhe ka vendosur të marrë hak. Rreth orës 09:00 të datës 12 prill, Strazimiri ka shkuar në spitalin "Nënë Tereza" në Repartin e Kardiologjisë, ku mjeku Ali Rifatllari po u jepte mësim studentëve të mjekësisë. Strazimiri ka përshëndetur mjekun dhe më pas e ka goditur atë me thikë në sy të studentëve të tij. Sapo ka parë doktorin të rrëzohet i gjakosur përtokë, është larguar me shpejtësi për t'i shpëtuar prangave. Por një agjent policie ka diktuar autorin, duke e kapur menjëherë atë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›