E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisnin me armë emigrantët, arrestohet një person

Një person është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës me akuzën e grabitjes me armë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Agjentët e policisë i vunë prangat ditën e djeshme Alban Meçes, i cili së bashku me Arsen Hasanin akuzohen për disa grabitje ndaj emigrantëve klandestinë, të kryera në muajt e fundit. Sipas policisë, dy të rinjtë nga Memaliaj i Tepelenës, përkatësisht 23 dhe 27 vjeç, vidhnin me armë në vijën e gjelbër të kufirit me Greqinë, mbi fshatin Dritë të rrethit Gjirokastër.

Grabitja

Të dy të akuzuarit kishin arritur që të realizonin disa grabitje brenda një kohe të shkurtër. “Preja” e tyre ishin emigrantët klandestinë, të cilët duhej të kalonin në këtë zonë, për të arritur që pa u diktuar të ishin në anën tjetër të kufirit, atë grek. Të dy të dyshuarit arrinin të shfrytëzonin njohjen e mirë të zonës dhe errësirën e natës, për të bërë të mundur realizimin e grabitjeve të tyre me sukses. Ata i kërcënonin viktimat e tyre me armë, duke bërë kështu që për të dëmtuarit të mos kishte zgjidhje tjetër, veçse dorëzimi i të gjithave sendeve me vlerë dhe të parave të tyre. Madje, të arrestuarit shkonin deri aty sa u grabisnin klandestinëve shqiptarë edhe ushqimet që merrnin me vete, si dhe paketat me cigare.

Aksioni

Një denoncim i kryer në stacionin e Policisë së Kakavijës bëri që forcat blu të viheshin në lëvizje për dy grabitësit, të cilët kishin arritur disa herë të realizonin objektivat e tyre. Agjentët e policisë kontrolluan zonën ku ata vepronin, dhe në këtë mënyrë ata arritën që të binin në gjurmët e tyre. Pas disa kërkimeve në terren, agjentët e policisë arritën që të arrestonin njërin prej autoreve të grabitjes, ndërsa njoftohet se ata po punojnë për kapjen e bashkëpunëtorit të tij. Ai arriti që t’i shpëtonte ndjekjes dhe ia doli të largohej në drejtim të tokës greke. Mendohet se i riu ka marrë me vete dhe armën që të dy ata përdornin për realizimin e këtyre vjedhjeve. Në momentin e arrestimin, Alban Meçes iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 300 eurosh dhe 2 varëse floriri. Gjithashtu policia bëri një kontroll edhe në vendet ku ishin bërë vjedhjet. Aty u gjetën 2 çanta dhe u sekuestruan 55 aparate celularësh. Policia e rrethit të Gjirokastrës njoftoi se po punon për kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit tjetër Arsen Hasanit. Policia ka shoqëruar të arrestuarin Meçe për në ambientet e paraburgimit, ku ai akuzohet për “grabitje me armë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›