E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia një “Merimangë” nga Vlora

06/05/2005  Festivali

Sot në mbrëmje, në “Apolon 2005”, për spektatorët dhe gjithë të ftuarit e tjerë, do të garojë trupa e teatrit të Vlorës “Petro Marko”, me dramën “Merimanga”, dramë kjo e shkruar nga dramaturgu, gazetari, juristi dhe eseisti italian Gennario Francione. Në rolin kryesor të kësaj drame, me temë nga korrupsioni i gjyqtarëve, është aktori Kristaq Skrami, në rolin e Faustit. Luajnë gjithashtu Valbona Imami, Astrit Mamaj, Ilirjan Aliu dhe Vasillaq Godo. Sipas regjisorit të kësaj drame, Besnik Aliaj, thelbi i dramës është se drejtësia është si një rrjetë merimange në të cilën insektet e vogal ngelin, ndërsa të mëdhatë e çajnë atë dhe largohen.

Kjo dramë, e cila është shfaqur për 1 javë rresht, ka qenë një dramë e pritur mjaft mirë nga publiku vlonjat, duke pretenduar kështu dhe në këtë edicion të “Apolon 2005”. Regjisori Besnik Aliaj flet për përkushtimin dhe konceptin modern të kësaj drame të sjellë përtej detit, ku interpreton një staf aktorësh po aq pretendues.

Pse keni zgjedhur veprën “Merimanga”, e cila duket se ka një pikë mbas vetes, pasi është pritur mjaft mirë nga publiku vlonjat?

Është një dramë e shkruar nga një autor italian, jurist në Tribunalen e Romës dhe president i shkrimtarëve juristë në Këshillin e Evropës, Gennario Francione. Teatri ynë, me në krye drejtorin dhe aktorin më dinjitoz të aktorëve shqiptarë, Kristaq Skrami, ka lidhje bashkëpunimi dhe me trupën e Teatrit të Ankonës dhe këtu është njohur edhe me dramaturgun italian. Ai është shumë shqiptar, pasi ka shkruar edhe dramë për Skënderbeun. Njeri euridit, modern dhe tepër i kulturuar. Drama përkon me problemet që kemi sot ne shqiptarët me korrupsionin. Vetë titulli “Merimanga” është marrë nga fjala e një filozofi të vjetër grek, Soloni, i cili thotë se drejtësia është një merimangë që lë të kalojnë luanë dhe elefantë dhe ngec insektet e vogla. Këtë ironi dhe satirë përcjell edhe drama, që ka në thelb korrupsionin. Drama ka një konceptim surrealist dhe impresionist dhe, kjo mendoj se përkon edhe me shqetësimet e problematikën e shoqërisë shqiptare.

Po për lojën e aktorëve ç’mund të na thoni?

Trupa e teatrit tonë ka në përbërje aktorë shumë të mirë të kalibrit kombëtar, si Kristaq Skrami, që është një nga aktorët e brezit të Ndriçim Xhepës, Xhevdet Ferrit, Bujar Asqeriut, që ka luajtur me ta dhe është ndër aktorët më të mirë shqiptarë. Gjithashtu ka edhe aktorë të kalibrit kombëtar si Astrit Mamaj, Arben Tartani, aktor inteligjent, Vasillaq Godo, humorist i rëndë 40 vjet në skenë, Artan Islami, d.m.th. është një buqetë aktorësh që përbëjnë këtë fytyrë të teatrit dhe që me ndihmën e Teatrit Kombëtar, ne përballojmë rolet e aktoreve femra, pasi vetëm një kemi në trupë.

Është shfaqur në Vlorë dhe ka pasur sukses, cilat janë mbresat tuaja?

Është shfaqur rreth 1 javë. Ne kemi problemet tona dhe puna jonë nuk është e përkryer, por mendoj se trupa jonë është pas atij të Teatrit Kombëtar. Ne bëjmë punën tonë. Por duket se spektatori shkon në një shfaqje banale në një komedi ordinere dhe nuk vjen në një dramë filozofike, sepse si duket teatri kërkon një elitë.

Meqenëse keni zgjedhur një temë më të veçantë, se trupat e tjera më filozofike dhe impresioniste, mendoni se do të kuptoheni nga spektatori fierak dhe shikuesit e shumtë të këtij festivali?

Festivali për mua është një eksperiencë mes aktorëve dhe, ne garojmë jo thjeshtë për titull, por për të qenë të suksesshëm. Besoj se të përzgjedhurit e jurisë do të jenë më shumë se një nga trupa e Vlorës, pasi aktorët janë shumë profesionistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›