E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Lufta antikorrupsion, Berisha gënjen

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha për arritjet e Shqipërisë në luftën antikorrupsion dhe për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve. Duke marrë citime nga deklarata e Kryeministrit, Rama konsideroi se janë të gjitha gënjeshtra dhe mashtrime. Njëkohësisht, Rama shigjetoi edhe orën e daljes së Kryeministrit dhe fjalimin e tij të gjatë. “Dje në orët e darkës, Kryeministri hyri direkt në shtëpitë e shqiptarëve me një konferencë shtypi, që do ta kishte pasur zili edhe Fidel Kastro, qoftë për nga ora e zgjedhur, qoftë për nga kohëzgjatja e jashtëzakonshme dhe qoftë për nga thellësia e hendekut ndarës mes atyre që Sali Berisha tha dhe realitetit të keqqeverisjes së tij”, - deklaroi Rama. Duke iu referuar shifrave për luftën antikorrupsion, për rritjen e pagave të punonjësve të administratës të mjekëve, mësuesve, infermierëve apo dhe pensionistëve, kreu i PS-së tha se të gjitha ishin mashtrime, pasi Kryeministri ua merr të gjitha përmes taksës së sheshtë apo TVSH-së. “Sali Berisha derdhi mbrëmë një lumë gënjeshtrash, faktesh të rreme, shifrash të pavërteta. Ndër të tjera, foli për hipjen e Shqipërisë drejt majave të botës për arritjet kundër korrupsionit, për futjen e Shqipërisë ndër 10 vendet e parat të botës për arritjet në reforma, për qeverinë e tij si kampione e botës në një betejë, ku në fakt qeveria e Sali Berishës është "turpi i botës"”, - deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›