Parqet industriale, firmosen kontratat për Vlorën dhe Shëngjinin
Dy parqe industriale do të ndërtohen në zona të rëndësishme për zhvillim ekonomik të vendit. Një zonë industriale pritet të ndërtohet në Vlorë dhe një tjetër në Shëngjin. Dje, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, ka nënshkruar kontratat me dy firmat që do të marrin përsipër ndërtimin e këtyre dy parqeve industriale. Njëra prej tyre, firma shqiptare “Idea Vlora”, do të ndërtojë parkun industrial në qytetin e Vlorës dhe në zonën e Shëngjinit parku industrial do të ndërtohet nga një firmë e huaj “ATX International”. Bëhet fjalë për një investim prej 38 milionë eurosh dhe që do të bëjë të mundur punësimin e rreth 21 mijë vetëve. Pritet që deri në fund të këtij viti të nënshkruhet kontrata edhe për parkun industrial të Koplikut. "Për vendin tonë këto kontrata do të sjellin hapjen e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve të huaja, transferimin e Know-How dhe teknologjive të përparuara, zhvillimin e industrive me fokus eksportin, që do të thotë përmirësim i bilancit tregtar të vendit, rritje e nivelit të prodhimit industrial të vendit, si dhe zhvillimin e industrisë agro-përpunuese", - nënvizoi ministri Ruli. Duke u ndalur në projektet konkrete, Ruli u shpreh se investimet e parashikuara në tre parqet industriale, Vlorë, Shëngjin si dhe Koplik, (marrëveshja e të cilit pritet të nënshkruhet shumë shpejt), arrijnë në 57 milionë dollarë, nga të cilat 35.4 milionë euro janë investime të huaja dhe 21 milionë euro, investime vendase. Ndërkohë, sipas Rulit, ndërtimi i këtyre tre parqeve industriale pritet të sjellë edhe hapjen e 37 mijë vendeve pune. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se krijimi i parqeve industriale është një moment i rëndësishëm pasi hap një kapitull të ri në përpjekjet e qeverisë për të krijuar një mjedis sa më miqësor ndaj biznesit. Kryeministri theksoi se parqet industriale do të shndërrohen në gjeneratorë të fuqishëm punësimi në vend. “Ju jeni gjeneratorët e zhvillimit, të punësimit në këtë vend dhe qeveria është e vendosur t’ju mbështesë në çdo përpjekje, si dhe të vendosë në Shqipëri ligjet më të mira, praktikat më të avancuara, në mënyrë që ju të keni sukses të plotë”, - tha Kryeministri Berisha.
ATX do të ndërtojë parkun industrial të Shëngjinit
Ndërtimi i parkut industrial të Shëngjinit pritet të rrisë ndjeshëm nivelin ekonomik dhe social të kësaj zone. Me investimin prej 17 milion eurosh, shoqëria "ATX International" sh.p.k në një sipërfaqe prej 3.2 ha parashikon hapjen 3 200 vendeve të reja pune, rrjedhojë e kryerjes së aktiviteteve në fushën e agro-përpunimit, si dhe industrisë së lehtë. Projekti i miratuar dje parashikon grumbullimin e përqendruar të të gjitha produkteve nga zona edhe më gjerë dhe magazinimi i tyre, ndërsa synohet edhe përqendrimi i industrisë së përpunimit dhe shpërndarjes së produkteve të detit. "A.T.X. International Tirana" sh.p.k është regjistruar si person juridik, me qendër në Gjermani e ka një aktivitet prej 25 vjetësh në import-eksportin e artikujve: veshje, mobilie, tekstile, këpucë, pajisje elektrike.
“Idea Vlora” do të ndërtojë parkun industrial të Vlorës
Investimi për ndërtimin e parkut industrial të Vlorës, me vlerë 21 milion euro, pritet të zhvillojnë biznesin dhe të kenë një impakt të dukshëm social, pasi parashikon edhe hapjen e rreth 18 586 vendeve të reja pune. Në një sipërfaqe prej 125 ha dhe brenda një afati prej 35 vjet do të investohen 22.819.797 euro, në 4 faza investimi secila nga 5 vjet. Numri i të punësuarve në këtë park arrin në 18.586 persona, ndërsa është parashikuar të ushtrohet aktivitet në fushën e industrisë së lehtë dhe ushqimore. Në parkun industrial të Vlorës prej 125 ha, ndër të cilat sipërfaqe prodhuese 45.4 ha, shërbimi 58.8 ha, sipërfaqe banimi 2.5 ha, ndërsa rrjet rrugor dhe sipërfaqe ndihmëse 13.3 ha, përfshihet ndërtimi i parcelave fleksibël nga 2 mijë deri në 20 mijë m2, rrjeti rrugor me gjerësi 13 dhe 20 m, furnizim me energji elektrike në tension të ulët ose të mesëm, shërbim të ruajtjes dhe sigurisë si dhe shërbim telefonik dhe internet. "Idea Vlora" është krijuar nga investitorë vendas me aktivitet në fusha të ndryshme si ndërtim, industri etj., ka një karakter shumëfunksional dhe vjen si një nismë e biznesit.