E Diel, 1 Nëntor 2026

PS ‘91, kartë anëtarësie pa firmë kryetari

Çdo kartë e re anëtarësie e PS ‘91 nuk do të këtë firmë të kryetarit të saj. Të vlefshme konsiderohen edhe ato që janë lëshuar para 2005-s, të cilat në fakt përmbajnë firmën e ish-kryetarit socialist, Fatos Nano. E përbashkëta mes tyre janë simbolet tradicionale. Lajmi konfirmohet nga vetë kryetari i kësaj partie, i cili në një njoftim për mediat sqaroi kriteret në përcaktimin e drejtuesve të strukturave organizative të PS ‘91. “Kartat e anëtarësisë të lëshuara para rënies së rregullit statutor në PS do jenë të vlefshme në partinë tonë të re. Ndërsa kartat e reja do kenë simbolin tonë tradicional, por jo me firmë kryetarësh”, - thuhet në këtë njoftim. Njëkohësisht bëhet e ditur se parimi kryesor i ndërtimit dhe funksionimit të PS ‘91 do të jetë institucionaliteti, domethënë rregullshmëria e pacenueshme në organizim dhe vendimmarrje. “Ne po rivendosim legjitimitetin statutor në jetën politike të socialistëve, legjitimitet i shkatërruar nga teknologjia “Berisha” në proceset organizative të PS-së”, - vazhdon njoftimi, duke shtuar se “prandaj e rifillojmë ngritjen e sistemit tonë organizativ aty ku Rama rrëzoi institucionalitetin”.

Ndërsa për procesin e përzgjedhjes së kryetarëve në degë, Koçi sqaron se kryetarët e PS ‘91 në rrethe duhet të plotësojnë kriterin e anëtarësisë, të paktën 3-vjeçar në PS. Ndërsa anëtarët e Gjykatës Statutore duhet të kenë qenë të paktën 5 vjet anëtarë në PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›