E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS t’i japë fund lojës së dyfishtë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u kërkon forcave opozitare, që t’i japin fund lojës së dyfishtë që kanë bërë deri më tani dhe të reflektojnë për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit. Indirekt, një ditë pas daljes së Kryeministrit Berisha, ku bëri bilancin për luftën antikorrupsion, kreu i LSI-së shigjetoi sërish Partinë Socialiste dhe në veçanti kryetarin e saj, Edi Rama, për bashkëpunimin e tij me Kryeministrin. Sipas Metës, në një situatë të tillë, ku pavarësia e gjyqësorit është e rrezikuar, është i nevojshëm reflektimi i opozitës për të mos lejuar bërjen e pseudoreformave në drejtësi. “U kërkojmë të gjithë forcave të vërteta opozitare që të reflektojë, që në vend që t’i ofrojnë bashkëpunim Sali Berishës për pseudo-reformën në drejtësi, të pozicionohen qartë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit, dhe të heqin dorë nga lojërat e dyfishta të bëra deri tani”, - tha Meta. Për kreun e LSI-së, “show” që dha Kryeministri dy ditë më parë ishte një tregues i qartë se me të nuk bëhen reforma, e aq më tepër ato me karakter ligjorë.

Në lidhje me këtë, duket se Meta i referohet qëndrimit të Ramës për ligjin e ri të prokurorisë. Rama kërkoi disa ditë më parë që mazhoranca të tërheqë versionin e saj ligjor dhe brenda një afati 30-ditor të hartojë një ligj tjetër që të jetë konsensual. Rama dhe Meta bashkohen në një pikë të vetme, atë që drafti fillestar kërkon të vendosë prokurorinë nën kontrollin e ekzekutivit. Por kanë versione të ndryshme për zgjidhjen. Ndërsa Rama kërkon një ligj të ri konsensual mes dy partive, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon vetëm amendimin e ligjit ekzistues për të përmirësuar situatën. Kreu i kësaj partie është shprehur se nuk ka nevojë për një ligj të ri, duke hedhur dyshime se edhe Rama përmes një drafti të ri ligjor do të bëhet pjesë e planit të mazhorancës. Madje, kjo çështje është një ndër pikat që u diskutua në takimin e kryetarëve të partive të majta, pikë që rezultoi të jetë ndarëse mes Ramës dhe Metës. “Ne kemi mendimin që nuk ka nevojë urgjente për një ligj të ri të Prokurorisë, sepse Prokuroria e ka një ligj. Do të mjaftonte thjesht një amendament në ligj për të reflektuar ndryshimin në Kushtetutë për termin e përcaktuar për afatin e Kryeprokurorit në detyrë. Kështu që, gjithçka tjetër, ne mendojmë se është e tepërt për ato prioritete që ne kemi sot”, - është shprehur Meta pas këtij takimi. Ndërsa Rama në përgjigje të kësaj kërkese nuk u tërhoq, duke vazhduar t’i qëndrojë besnik idesë se duhet një ligj tjetër për prokurorinë që të ketë konsensusin e forcave politike.

“Unë u kërkova të pranishmëve në takim që të bëjmë gjithçka është në dorën tonë, për ta zmbrapsur tentativën kryeministrore të vënies së prokurorëve nën trysninë e pushtetit, jo vetëm duke i refuzuar të gjitha ndryshimet e patolerueshme që Sali Berisha kërkon të bëjë në ligjin për Prokurorinë, po duke imponuar një alternativë që të ketë pëlqimin e prokurorëve dhe të rrisë pavarësinë e të forcojë efektshmërinë e organit të akuzës”, - ka theksuar Rama. Pavarësisht replikave në distancë, të dyja partitë nuk e kanë ndryshuar qëndrimin për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›