E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia sjell debate në Kuvend

Reforma në drejtësi ka qenë objekt debati dje në sallën e Kuvendit. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, ka akuzuar opozitën se po bën çdo përpjekje për ta penguar realizimin e saj. Sipas Bumçit, opozita nuk po bën një debat të mirëfilltë në lidhje me realizimin e kësaj reforme, por gjithçka është bazuar në akuza të pabaza. Sipas Bumçit, opozita po akuzon mazhorancën se po përpiqet të kontrollojë institucionet e pavarura të gjyqësorit. Por, ka theksuar ai, nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër që prokuroria të jetë më e pavarur sesa tani kur ajo po heton njerëz me imunitet dhe zyrtarë të lartë. "Kur ka qenë Gjykata Kushtetuese më e pavarur sesa tani, e cila kthen ligje sa herë e shikon të arsyeshme", tha zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së. Deklarata e Bumçit për pavarësinë e gjyqësorit dhe reformën në drejtësi, është kundërshtuar nga opozita. Deputeti Taulant Balla, ka deklaruar se "Aldo Bumçi nuk duhet të flasë për drejtësinë, sepse ky njeri ka konflikt të pastër interesi me drejtësinë". Së pari, tha Balla, Bumçi ka qenë ministër Drejtësie, por për të nuk mbahet mend asgjë të ketë bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Së dyti, tha Balla, "ky ish-ministër është në hetim për një shkresë zyrtare të drejtuar një farë Shkëlzeni. Bumçi duhet të sqarojë këtu kush është ky Shkëlzen? As në Ministri të Drejtësisë e as në Këshill të Ministrave nuk ka ndonjë punonjës me emrin Shkëlzen". Kundërpërgjigjja nga ana e Bumçit nuk ka munguar, duke replikuar me deputetin Balla. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, ka theksuar se kur ka marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ka gjetur aty me dhjetëra dosje të gjyqtarëve, të cilat flinin nëpër sirtarë, pasi rezultati i kontrollit nuk bëhej publik, me qëllim mbajtjen peng të gjyqtarëve, të cilët në çdo kohë ndiheshin të kërcënuar me dosjet e tyre. Po kështu ka ndodhur edhe me prokurorinë, ku janë gjetur praktika të pazbatuara dhe argumenti ishte se nuk duam të ngatërrohemi me organin e akuzës. Kësaj gjëje, tha Bumçi, gjatë drejtimit tim të ministrisë, iu dha fund.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›