E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti pret Xhons, diskutohet për reformat në vend

Presidenti Bamit Topi, ka pritur dje në një takim zv/ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Gjatë këtij takimi, ku ka qenë i pranishëm dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers, Presidenti Topi ka vlerësuar marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira tradicionale dhe bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve tona, duke shprehur besimin se këto marrëdhënie do të arrijnë në nivele edhe më të larta, pas anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Kreu i shtetit i ka shprehur falënderimet me të përzemërta zyrtarit amerikan, për miratimin së fundmi, nga Senati i SHBA-së, i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe nënshkrimin e këtij protokolli nga Presidenti Bush. Presidenti Topi ka vlerësuar lart gjithashtu ndihmesën e vazhdueshme dhe gatishmërinë e Presidentit Xhorxh W. Bush, të SHBA-së dhe administratës amerikane për të ndihmuar në proceset reformuese të sistemit të drejtësi në Shqipëri, të ruajtjes dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura dhe kryerjes së reformave të gjithanshme si ajo në sistemin zgjedhor, ekonomike etj. Nga ana e tij, zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë, e siguroi kreun e shtetit se qeveria amerikane do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Shqipërisë në NATO dhe përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e reformës në drejtësi dhe mbrojtjen e konsolidimin e institucioneve të pavarura dhe ndarjes së pushteteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›