I humbi vajza, rreh keq gruan
Prej një muaji nuk kishin marrë asnjë informacion mbi vendndodhjen e së bijës 15-vjeçare të zhdukur në mënyrë të mistershme, ndërkohë që përfshihen nga debatet e dyshimet. Kështu ka ndodhur me Maksim dhe Ylmie Agollin, prindërit e 15-vjeçares Xhuljeta Agolli, e cila është zhdukur një muaj më parë. Sipas burimeve policore mësohet se babai i së miturës ka dyshuar se bashkëshortja e tij ka ndikuar në largimin e vajzës dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj. Dhuna e ushtruar tri ditët e fundit ka shkuar deri në shtrimin në spital të Ylmie Agollit dhe arrestimit të babait të saj. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në shtëpinë e Maksim Agollit në fshatin Rrethlibofshë të Komunës Libofshë. Sipas burimeve familjare, Maksimi, duke parë që vajza e tij 15-vjeçare nuk po gjendej dhe duke parë që asnjë gjurmë nuk kishte më për të, ka dyshuar se ka qenë gruaja e tij, mamaja e vajzës, ajo që ka bashkëpunuar me të dashurin e vajzës për largimin e saj, duke sajuar alibinë se e kishin rrëmbyer. Ai e ka akuzuar gruan se kishte shitur vajzën te trafikantët dhe e ka rrahur për tri ditë me radhë, deri sa dje gruaja është dërguar në gjendje të rëndë në spital dhe policia ka arrestuar Maksim Agollin.