Pranga dy të sëmurëve mendorë, masakruan fqinjin
Policia e Fierit ka vënë në pranga dy persona dhe ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dy net më parë në fshatin Vërri, ku si pasojë e një shpërthimi u plagos rëndë një 35-vjeçar. Nga burimet zyrtare policore mësohet se dy vëllezërit Altin dhe Aleksandër Jano, 30 dhe 44 vjeç, u ndaluan nga policia rreth orës 22:30 të së premtes, pasi akuzohen për "vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake". Po sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Verri, në vendin e quajtur "Kthesa e Kallmit", rreth orës 19:40, kur dy vëllezërit i kanë dalë përpara fqinjit të tyre Gëzim Selimi. Ata mendohet të kenë shkëmbyer vetëm pak momente fjalë me njëri-tjetrin dhe më pas kanë hedhur në drejtim të 35-vjeçarit një sasi lënde plasëse të ndezur, që sipas policisë ishte barut. Sikur të mos mjaftonte kjo, dy vëllezërit Jano e kanë qëlluar fqinjin e tyre me armë zjarri të prodhimit artizanal. Nga zhurma që është dëgjuar dhe plagët që ka marrë në moment 35-vjeçari, si humbja e njërit krah, kanë hedhur dyshimin e një eksplozivi të fortë, por disa orë më pas policia ka dalë me konkluzionin se bëhej fjalë për shpërthimin e një sasie baruti, si dhe një shkrehje arme. Selimi është dërguar në spitalin e qytetit në gjendje të rëndë, ndërkohë që autorët janë larguar nga vendngjarja për t‘u ndaluar pak orë më pas. Sipas burimeve policore mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ende të paspecifikuara edhe pse dyshimi mbetet te një ngacmim që 35-vjeçari mendohet ta ketë kryer karshi një vajze të familjes Jano. Dy vëllezërit e arrestuar njihen si persona me çrregullime mendore.