Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore Giovanni Majnoni shpreh mbështetjen e BB-së për projekte të ardhshme në vend
Kryeministri Berisha priti sot në takim Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, zotin Giovanni Majnoni. Takimi u përqendrua në ecurinë e projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri, si dhe në bashkëpunimin e mëtejshëm mes qeverisë shqiptare dhe këtij institucioni të rëndësishëm financiar.
Zoti Majnoni i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen për mbështetjen që autoritetet shqiptare kanë dhënë në mbarëvajtjen e projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri, si dhe angazhimin e këtij institucioni për të punuar së bashku me qeverinë shqiptare për projekte të ardhshme si projekti për rrugët rurale dhe ai për shoqërinë e informacionit.
Kryeministri Berisha falënderoi zotin Majnoni për rolin aktiv të Bankës Botërore në të gjitha projektet e saj në Shqipëri si në fushën energjetike, të infrastrukturës, të furnizimit me ujë etj.. Kryeministri vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore për finalizimin e projektit të rëndësishëm për rrugët rurale në vend, për të cilin Banka Botërore ka marrë rol drejtues.