E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit në prezantimin e Strategjisë së Zhvillimit të Peshkimit dhe Akuakulturës

"Dua të falënderoj të gjithë ekspertët dhe drejtuesit e ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Drejtorisë së Peshkimit, specialistët e huaj, të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të Peshkimit dhe Akuakulturës në 10 vjeçarin që vjen.

Dua të përshëndes të gjithë peshkatarët shqiptarë dhe t'i siguroj se, pavarësisht nga kundërshtitë ekzistuese, qeveria është shumë e ndjeshme dhe e vetëdijshme për sakrificën dhe vështirësitë e mëdha me të cilat ata përballen. Ajo mbetet plotësisht e angazhuar për zhvillimin më të shpejtë të mundshëm të sektorit të peshkimit dhe shndërrimit të kësaj industrie në një nga industritë kryesore të vendit.

Në mënyrë të përsëritur, me drejtuesit e ministrive të interesuara kam diskutuar dhe diskutoj me vetëdijen e plotë se shkalla e prapambetjes së sektorit të peshkimit në tërësi është rezultat i injorimit sistematik, madje të pamëshirë që i është bërë këtij sektori dhe kësaj pasurie shumë të madhe kombëtare. Ky sektor, të jemi realistë, është katandisur në atë pikë saqë për qeverinë më e leverdishme është t'u paguajë rroga të gjithë atyre që peshkojnë, dhe t'u japë një rrogë jo të vogël, sesa subvencionin për të cilin ata kanë nevojë, për arsye se fuqia dhe vjetërsia motorike e tyre bën rendimentin. Këta djem e burra përballen çdo ditë me detin, me kërcënime serioze dhe vështirësi të mëdha, por mjetet e tyre janë në tërësi jashtë kohe.

Duke bërë këtë përshkrim, unë ju siguroj se ne mbetemi shumë të vendosur për të ndërhyrë dhe shënuar një kthesë rrënjësore në këtë fushë. Ne nuk heqim dorë nga subvencioni, por nuk e zgjidh subvencioni çështjen e peshkimit. Është vendimtare të modernizohet flota peshkimit. Për vlerësimin e kësaj pasurie të pamasë që kemi, është përcaktuese për të ardhmen të investojmë në mënyrë që peshkatarët shqiptarë të dalin në det në kushte të përafërta me atë të fqinjëve tanë. Në rast se industria përpunimit ka bërë hapa të dukshëm përpara, është e dhimbshme që kjo industri funksionon dhe bazohet mbi importin dhe jo prodhimin vendas. Prodhim, i cili mund të tejkalonte disa herë kapacitetet ekzistuese të përpunimit.

Krahas masave që ne do të marrim, sërish do të ruajmë në mënyrë të arsyeshme mbështetjen për peshkatarët. Dua t'ju informoj se në raste të caktuara katër janë subvencion, në krahasim me vlerën që krijohet. Kjo është e pamundur, sepse do të thotë të ndëshkosh sektorët e tjerë të prodhimit dhe këtë nuk mund ta bëjë asnjë vend. Ne do të ruajmë një subvencion proporcional. Nga ana tjetër, do të përpiqemi të ecim me shpejtësi duke ndihmuar flotën e peshkimit për modernizimin e saj. Grupi i punës është krijuar dhe do të fillojmë tratativat me institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike, në mënyrë që flota e peshkimit e vendit të ripërtërihet dhe të rritet prodhimi. Ndërkohë që konsumi është rritur. Këtu, jo të paktë janë ata që e dinë se 30 vjet më parë njerëzit kthenin kokën nga dyqani i peshkut, ndërsa sot e duan të gjithë. Profili ushqimor është krejt tjetër dhe kjo është shumë pozitive, sepse peshku, mes të gjitha ushqimeve, është më i shëndetshmi.

Një nxitje të madhe do t'i japim akuakulturës. Kemi bërë disa lëvizje në tarifa dhe sërish, po të jetë e nevojshme, jemi të gatshëm të bëjmë të tjera, në mënyrë që të nxisim sa më shumë fermat e peshkut dhe prodhimin e tij, në ujëra të kripura dhe të ëmbla. Është arritje e madhe që sot peshkatarët shqiptarë mund të eksportojnë në të gjithë Europën. Natyrisht, kjo nuk është realizuar ende për midhjet, por do të bëjmë të pamundurën që të arrijmë certifikimin e nevojshëm dhe të hapet edhe tregu për midhjet. Ne duhet të jemi një prodhues i rëndësishëm i tyre.

Strategjia që diskutojmë sot është dokument themelor i detyrueshëm për qeverinë. Ju siguroj se vërejtjet dhe sugjerimet tuaja do të përfshihen në dokumentin përfundimtar dhe qeveria do ta trajtojë këtë sektor me përparësi dhe seriozitet të madh. Kam besim të madh tek potenciali ekzistues dhe ai që do të zhvillohet. Së bashku, industrinë e peshkut do ta nxjerrim në një nga zërat e parë industrialë të vendit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›