Mesazh përshëndetës i qeverisë shqiptare në 85-vjetorin e vendosjes së marrëdhenieve Shqipëri-Amerikë.
Zëdhënësja e qeverisë dhe njëkohësisht Ministre e Integrimit,zonja Majlinda Bregu përshëndeti në emër të qeverisë shqiptare 85-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë.
"Në emër të qeverisë shqiptare jam këtu për të përshëndetur 85-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë.
Dita e sotme, 28 korrik 2007 shënon 85- vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga SHBA. Pas një ndërprerjeje të gjatë prej 52 vjetësh, si rezultat i sistemit komunist në Shqiperi, ardhja e demokracisë do të shënohej edhe me hapjen e Ambasadës amerikane në Tiranë më 1 tetor 1991. Ish Sekretari i Shtetit James Becker do të ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që do te vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit dhe që do të përcillte mesazhin aq të ëndërruar prej shqiptarëve
"Mirësevini në botën e kombeve të lira".
Qysh nga koha e rivendosjes se marrëdhënieve diplomatike te Shqipërise me SHBA, keto marrëdhenie kanë përparuar dhe janë konsoliduar duke u konsideruar të shkëlqyera.
Marrëdhëniet midis vendeve tona datojne në fillimet e këtij shekulli, në kohen e Presidentit Ëilson, te cilit Shqiperia i dedikon jo pak, por ekzistencën e saj. Ky xhest i rëndësishëm nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.Nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin e babait të Presidentit Bush, i cili udhëhoqi rrëzimin e Perdes së Hekurt dhe vendosjen e demokracisë në vendet ish-komuniste, një prej të cilave ishte dhe Shqipëria, rolin e padiskutueshëm te Presidentit Clinton, të zonjës së nderuar Albright që çuan në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, që e kristalizuan më tej provën e miqesise së thellë shqiptaro-amerikane. Për hëre të parë në historinë mijëravjecare të kombit tonë, superfuqia e botës dhe vendet me të fuqishme europiane, anëtare të NATO-s u rradhiten përkrah popullit shqiptar në dy anët e kufirit duke e shpetuar atë nga një kasaphane që nuk njihte kufij.
Eshtë qëndrimi i vendosur dhe angazhimi i Presidentit Bush dhe gjithë Administratës që Ai drejton që zgjidhja e statusit të Kosovës të mos shtyhet pafundësisht dhe që Kosova të fitojë pavarësinë.
Marrëdhëniet bilaterale të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen të rëndësisë parësore për politikën e jashtme të Shqipërisë.
Vizita në Shqipëri e Presidentit Bush, Presidentit të parë amerikan në detyrë që vizitoi Shqipërinë, vlerësohet si një ngjarje kulmore në marrëdhëniet mes dy vendeve, nje vlerësim i mirënjohjes së kombit shqiptar për rolin e rëndësishëm që SHBA ka luajtur që nga njohja e shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, inkurajim për të vazhduar kursin e nisur të reformave, falenderim për kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit, mbështetje për përpjekjet tona për integrimin në NATO, konfirmim i rolit të pazëvendësueshëm të SHBA –së në zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Shqipëria dhe SHBA po bashkëpunojnë ngushtë për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, në mënyrë që ato të ecin krahas me dialogun politik. Në këtë kuadër po kanë nisur veprimet për inicimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me SHBA, lehtësimin e vizave për studentët që studiojnë në SHBA si dhe rritjen e numrit të investitorëve amerikanë në Shqipëri.
Shqipëria, duke e konsideruar të rëndësishme ruajtjen e sigurisë në vend dhe më gjerë, ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontributin e vet me të gjitha mundësitë në Koalicionin Antiterror, të kontribuojë me trupa në Irak dhe Afganistan dhe kudo që të jetë e nevojshme duke u kthyer në këtë mënyrë nga një konsumator i sigurisë në kontributor të saj."