E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori Televiziv i EBU-së i paraqet Kryeministrit Berisha strategjinë për modernizimin e RTVSH-së

Në një takim që pati sot paradite me Kryeministrin Berisha, Drejtori Televiziv i Bashkimit të Transmetuesve Publikë Europianë (EBU), z.Bjorn Erichsen i paraqiti Kryeministrit Strategjinë e Zhvillimit të RTVSH-së për vitet 2008–2010, një dokument që synon transformimin e plotë dhe modernizimin e Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Kjo strategji është hartuar nga RTVSH-ja në bashkëpunim dhe me mbështetjen e plotë të EBU-së.

Kryeministri Berisha falënderoi z. Erichsen për punën e bërë dhe për ndihmën që EBU-ja jep në modernizimin e televizionit publik shqiptar. Z. Berisha vlerësoi se me zhvillimin e madh që ka marrë media televizive në Shqipëri është e rëndësishme që radiotelevizioni publik të përshtatet me teknologjitë bashkëkohore të transmetimit, si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë.

Duke i shprehur mirënjohjen për takimin, përfaqësuesi i EBU-së, z. Erichsen vlerësoi bashkëpunimin me Radiotelevizionin Publik Shqiptar, si një institucion që ka rritur cilësinë programatike dhe transmetuese. Nga ana e tij, Kryeministri i shprehu bashkëbiseduesit gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ndihmuar radiotelevizionin publik në sfidat e tij të modernizimit dhe arritjes së standarteve perëndimore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›