Sa është çmimi i një jete?
Elsa Ballauri
Sapo kthehem nga Vora, nga shtëpia ku Resi u rrit. Ishte një nga vizitat më të vështira kur ndjen se nuk ke ç’të thuash, kur fjalët edhe kur duan të bëjnë detyrën e tyre, ose tremben, ose kthehen në psherëtimë… Resmija është një nga viktimat e Gërdecit. Ajo iu largua kësaj jete pasi mbushi 19 vjeç. Pasi kishte nxjerrë në dritë Kristinën dhe pasi vuajti pothuajse 1 muaj të tërë me plagë djegieje të tmerrshme dhe dhimbje të padurueshme…
Ditën e 15 marsit, avioni ynë nga Londra zbriste i druajtur në Rinas, pasi ishte marrë vesh ngjarja e rrallë. Që në aeroportin e Londrës, u kujtova të pyes për miqtë e mi të Vorës dhe mora vesh se Resi nuk duhej të kish qenë atë ditë në punë, sepse dy ditë më parë kishte vrarë dorën dhe kishte marrë raport nga mjeku. Pamjet ishin rrëqethëse që nga avioni dhe në aeroport ishte një qetësi varri. Një pastruese qante në heshtje dhe më tregoi se si shtëpia e saj ishte hedhur përpjetë “si në filmat vizatimorë”, tha ajo. “Nuk pësuam gjë fizikisht, dhe për shtëpinë s’kam gajle, …por si mund t’i sjell në vete vajzat e mia, të cilat pësuan një goditje të fortë psikologjike nga zhurma dhe rrënimi?”.
Unë përsëri pyeta në telefon dhe mora vesh se Tushja, nëna e Resit, po vraponte spitaleve për ta gjetur. “Po ajo nuk ishte në punë sot”. …Në fakt, kishte ndodhur ndryshe. E nervozuar nga jeta e një të sapomartuare të re, me dëshirën e madhe të jetonte një jetë normale, Resi, bashkë më të shoqin kishin zgjedhur punën në fabrikë që të mund të mblidhnin sa më shumë dhe më shpejt para për të bërë një shtesë në ndërtesën e tyre. Kjo do të ishte një mundësi për Kristinën e vogël, që në vend të rritej vetëm në shtëpinë e gjyshes, të kishte edhe folenë e saj. Puna në fabrikë ishte e vështirë, por paguhej më mirë se në vendet e tjera ku ata kishin provuar të punonin më parë. Pastaj, …ata “ishin punësuar nga amerikanët”. …Kjo ishte një siguri më shumë.
Ajo ditë ishte pak më ndryshe për Resmijen. U ngrit më vonë nga shtrati. Dy ditë më parë kishte vrarë dorën, pasi një arkë me fishekë i kishte shembur gishtat. Mjeku i kishte dhënë një raport treditor. Por, pak më vonë ajo foli me të shoqin në telefon dhe i kërkoi të vinte në punë. Ai pranoi duke i thënë se do ta ndihmonte për normën. Resi la Kristinën e vogël nën kujdesin e komshies dhe fluturoi jashtë… Ishte ditë e bukur… të gjithë mund të kujtohemi për këtë…
Atë natë unë isha pranë shtratit të saj në spitalin e djegieve. Mjekja më tha se ishte ndër rastet më të rënda që kishte pavioni. Djegia ishte 60 për qind. Trupi i saj nuk dukej nën fashot që vende-vende kishin shkarë dhe nën batanijen e ashpër të spitalit, që mund të ndihmonte çdo të sëmurë në raste ethesh, por kurrsesi një trup të djegur… Ajo rënkonte dhe mesa kuptova i gjithë trupi i ishte përvëluar, përveç fytyrës vezake e simpatike. Sytë e saj jeshilë e të mëdhenj, ishin zmadhuar akoma më shumë nga zbehja. E megjithatë, zëri i saj ishte mjaft i plotë për të treguar atë që kish parë…
Nuk kishte mundur të shkonte andej nga ishte Okja, i shoqi. Flaka s’e kishte lënë të merrte atë rrugë. U detyrua të vraponte dhe flaka, si një magjistricë i ishte qepur në kurriz. Ajo i hoqi me rrëmbim të gjitha rrobat dhe filloi të kërkonte shteg pa zjarr… Këtu e kishte parë shumë pisk. Qëndroi në tunel gjatë, e përvëluar, e rrethuar nga flakët. Pastaj vendosi të dalë për të kërkuar ndihmë. U çor nëpër ferra duke iu shmangur zjarrit. Resi ishte në një nga vatrat më të mëdha të shpërthimit. Prej orës 12:30 deri në orën 17:00 ajo qëndroi e djegur dhe e zhveshur. Më pas e gjeti policia…
Tregimi i saj ishte i thjeshtë, bënte përpjekje për të fshehur dhimbjet, humbiste në gjumë. E megjithatë, ishte aq e kthjellët sa të gjithë ishim optimistë se do të shërohej.
Ndërkohë, ishin bërë gati listat për t’u nisur në Itali me avionin që do t’i merrte të plagosurit në orën 4 të mëngjesit…
Por avioni nuk erdhi në 4, ndërkohë e reja filloi të keqësohej edhe më shumë. Në orën 8 të mëngjesit, mora një telefonatë nga e ëma, ku fjalët përziheshin me ngashërime. “Resi vdiq”. E tronditur hapa TV dhe pashë se …transmetonte në mënyrë të pandërprerë lajmin. Shkova më vonë në shtëpinë e gjyshes së saj, diku në lagjen “Ali Demi”. Dhe atje kam ndjerë një nga emocionet më të çuditshme dhe më të forta në jetë… Resi ishte gjallë. Në momentin kur mjekët kishin dhënë lajmin e ikjes së saj, papritur ajo ishte kthyer në jetë, sikur ta dinte se kishte disa detyra të tjera për të përfunduar, ose… se duhet të vuante më shumë…
Përsëri ankthi i avionit që do të nisej në Itali. U vendos për në orën 10:00, por u shty edhe më shumë, derisa u nis pas dreke me një grup mjekësh që rrinin mbi fytyrën e saj nën maskën e oksigjenit.
Në Brindizi mjekët filluan një tjetër betejë: të pastronin pjesët e dëmtuara për ta bërë gati për plastikë. Ajo iu nënshtrua tre operacioneve, por nuk mundi ta kapërcejë të fundit. Ndërkohë, të afërmit përjetonin çdo ditë vdekje pas vdekjesh. U largua nga jeta edhe i vogli 6-vjeçar që u ndodh në kohën e flakëve se po i shpinte drekën hallës së vet…
Të dërguarit e konsullatës shqiptare në Bari ishin pranë fatkeqëve gjithë kohën. Ata iu asistuan në përkthime, në lëvizjen e tyre, i ndihmuan pa masë. Ishin ata që shprehën shqetësimin e mjekëve italianë, se përse Resmija nuk ishte nën ndihmën e oksigjenit që në momentin e parë, pse ishte vonuar avioni për ta sjellë atje. “Sikur vetëm pak orë më parë të kishte ardhur, ajo do të përmirësohej”, pat thënë mjeku… Përse-të… përse-të janë gjithmonë të pashmangshme në raste vdekjesh, por njeriu ngushëllohet gjithmonë kur e di që vdekja vjen nga Zoti… A mund të ngushëllohet aq kollaj kur ajo vjen nga njeriu?
Në shtëpinë e Tushes hyjnë e dalin njerëz, vazhdimisht njerëz. Vetëm deputeti i zonës z. Patozi nuk ka patur kohë të shkojë atje. 20 milionë lekë të vjetra që i janë premtuar, po vonohen nëpër shkresat e ngatërruara të tavolinave burokrate. Ajo është indiferente kur dëgjon këto… A mund t’ia kthejë ndokush Resin, zërin dhe sytë e saj? Sa mund të jetë çmimi i një jete?