Tirana Bank fitimi para taksës 4.9 milionë Euro
Tirana Bank ka treguar një performancë mjaft të mirë gjatë tre mujorit të tretë të vitit 2009. Në një analizë të të dhënave të kësaj banke rezulton se fitimi para taksës ka arritur 4.9 milion Euro duke shënuar një rritje të rëndësishme, krahasuar me tre mujorin e kaluar, ndërsa provigjionet janë rritur në 3.7 milionë euro, 54% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Pavarësisht problemeve të krijuara nga kriza globale, Tirana Bank ka arritur të mbajë kreditë me probleme në nivel të ulët, 5.24% e portofolit të kredisë, e cila është më e ulët se ajo e sistemit bankar në Shqipëri. Gjithashtu në kohën kur kreditimi është bërë i vështirë si rezultat i krizës Tirana Bank, nga ana e saj vazhdon të mbështesë klientët e saj me kredi për individë dhe biznese, falë likuiditetit të lartë dhe kapitalit të lartë të mjaftueshmërisë 16.5%. Nëse bazohemi tek raporti Kredi/Depozita mund të themi se ai shënon 103% në fund të muajit Shtator 2009. Por një tjetër iniciativë e Tirana Bank do të kurorëzohet së shpejti. Ajo do te çelë këto ditë 2 degë të reja, pranë qendrave tregtare Citypark dhe Megatek, duke e çuar në 47 degë anembanë vendit duke përforcuar kështu në mënyrë të ndjeshme pozitat e saj të sigurta në Shqipëri dhe duke u bërë më e pranishme dhe afër klientëve. Tirana Bank pjesë Piraeus Group tashmë prej vitesh në Shqipëri po njeh fuqizim të saj dhe këtë e mbështesin edhe të dhënat më të fundit statistikore lidhur me performancën e 9-mujorit të këtij viti.