E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtori i Hekurudhave, premton zgjidhjen e 6 nga 7 kërkesat e tyre

26/04/2005  Ngelet ende për diskutim problemi i pagave

DURRËS - Peticioni i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Hekurudhor kanë detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave të ulen në tryezën e bisedimeve. Paralajmërimi për nisjen e një greve pa afat më 5 maj dhe deklarimi i sindikatës se do të paralizonte të gjithë transportin hekurudhor nëse Drejtoria, Këshilli Mbikëqyrës dhe Ministria e Transportit nuk do të shtronte për zgjidhje shtatë pikat e peticionit, do risillte të njëjtën situatë të krijuar një vit më parë, ku për një muaj punonjësit kaluan në protesta masive.

Pas bisedimeve të përfaqësuar nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave, Alfred Dhuli dhe kryetarit të Sindikatës, Osman Meta, palët ranë dakord që gjashtë nga shtatë pikat do të zgjidhen në një kohë shumë të shkurtër, duke lënë për diskutim në një tryezë tjetër atë të rritjes së pagave në masën 50 për qind.

Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave, Alfred Dhuli, tha se “kërkesat e sindikatës janë të drejta dhe ne këmi rënë dakord dhe mendojmë se ato janë plotësisht të zgjidhshme”.

Për sa i përket kërkesës për rritjen e pagës, Dhuli ka thënë se, “drejtorisë do t’i duhet më shumë kohë për të vendosur, pasi hierarkia e pagës paraprakisht do të studiohet nga grupi i ekspertëve dhe më pas do të kalojë për miratim me ndryshimet e pritshme“.

Ai nuk ka cilësuar se sa do të jetë mesatarja e pritshme për rritje page, por ka ndarë të njëjtin mendim me krerët e sindikatës.

Një tjetër kërkesë e shprehur në peticioni, dhe që ka të bëjë me akuzën e sindikalistëve për përfshirjen në administratën e Dhulit të punonjësve të korruptuar, ka qenë edhe pika më e nxehtë e bisedimeve. Kryetari i Sindikatës, Osman Meta dhe sekretari i saj, Shefqet Muça, në peticionin e nënshkruar prej tyre kanë denoncuar Dhulin për futje në administratën e tij të njerëzve që ishin bërë objekt i vërejtjeve, kritikave dhe ndëshkimit në konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Drejtori Dhuli nuk ka pasur mundësi të mbrojë punonjësit e tij përpara akuzave të sindikalistëve, ndërsa ka deklaruar se asnjëri nga të përfolurit nuk është në pozita drejtuese.

“Janë vetëm dy persona, që janë akuzuar për shkelje të ndryshme nga KLSH-ja, por ata do të jenë në punë vetëm si specialistë, pasi i tillë është edhe profesioni i tyre në hekurudhë”, tha Dhuli.

Lidhur me akuzat për tenderat që zhvillohen nga hekurudha, Dhuli tha se “në zhvillimin e tenderave janë të pranishëm edhe përfaqëqsues të sindikatës, kështuqë nuk ka arsye që të pretendohet se tenderat nuk zhvillohen në mënyrë të drejtë”. Drejtori ka mohuar më mënyrë kategorike që të jetë përzier në ndonjë aferë për sa i përket vagonave, të cilët shkojnë për skrap. Në këtë kuadër, duke i dhënë përgjigje edhe akuzave për mungesë transparence, lidhur me investimet që po bëhen në rikonstruksionin e drejtorisë dhe investimeve të tjera, Dhuli tha se “Drejtoria pret që të zhvillohet mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës për të miratuar fonde të tjera në ndihmë të investimeve që janë ndërmarrë kohët e fundit”, duke përjashtuar në këtë mënyrë shkeljet, për të cilat akuzohen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›