E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ura e Limuthit, rrezikohet rikonstruksioni

26/04/2005  Ngadalësi në lëvrimin e fondeve për riparimin e saj

DURRËS - Sindikata dhe Drejtoria e Hekurudhës e kanë cilësuar shumë problematike ngadalësinë në lëvrimin e fondeve për rikonstruksionin e Urës së Limuthit. Palët kanë kërkuar fonde me urgjencë për rikonstruksionin e Urës, e cila ka dalë jashtë funksioni që prej muajit dhjetor 2004, për shkak të rrëshqitjes së këmbës së urës, duke bërë që në linjën Tiranë-Durrës të mos funksionojë treni i udhëtarëve e as i mallrave që prej katër muajve.

Ura e Limuthit u bë e pakalueshme më 22 dhjetor 2004, kur njëra këmbë e saj u shkëput nga bazamenti i urës, ndërsa në kohën që nisi rikonstruksioni me një fond prej 47 milionë lekësh, ura u shemb plotësisht duke detyruar nxjerrjen e të tjera fondeve. Ndërsa punimet janë ndërprerë disa herë, katër muaj pas shembjes drejtori Dhuli ka pohuar se, “deri tani punimet kanë përfunduar në masën 60 për qind, por është e nevojshme që fondi tjetër prej 99 milionë lekësh të jepet sa më shpejt, pasi firma mund të pezullojë punimet”.

Nëse fondet nga buxheti i shtetit nuk do të financohen për llogari të firmës që po kryen rikonstruksionin e saj, atëherë kjo e fundit do të ndërpresë punimet, është bërë e qartë në tryezën mes sindikatës dhe drejtuesve të hekurudhës.

Kjo situatë vjen në një kohë kur pas dy muajve pritet të nisë edhe fluksi i pushuesve për në bregdetin e Durrësit, ndërsa ecuria shumë e ngadaltë e punimeve për mungesë investimi, do t’i shkaktojë hekurudhës humbje të mëdha. Ndërkaq ky është problem i paraqitur herët nga specialistët e këtij sektori. Por, me sa duket, tashmë që situata duket kritike, ka ndodhur dhe publikimi alarmant.

Ura e Limuthit konsiderohet si një ndër pikat kryesore të qarkullimit hekurudhor. Nëse do mundësohet lëvrimi i fondeve në shpejtësinë që kërkohet, ka shumë shance rikonstruksioni të realizojë atë çka kërkohet deri më tashmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›