E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen shpërndarësit e ilaçit të drogës

• Arrestohen me një arsenal armësh dhe sendesh të tjera të paligjshme shpërndarësit e drogës “legale”, në qendër të Tiranës.Dashamir BiçakuDy persona të akuzuar si shpërndarës metadoni u arrestuan në flagrancë me 64 doza lëndë narkotike ndërsa policia u sekuestroi edhe një armë tip pistoletë me mulli që të dyshuarit e mbanin me vete. Artan Banushi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, si dhe Eugen Mersini, 37 vjeç, banues në Tiranë janë kapur në flagrancë nga agjentët e antidrogës së kryeqytetit, në afërsi të Universitetit Politeknik. Operacioni i koduar “Metadoni”, ka vënë në pranga dy të dyshuarit si furnizues kryesorë të përdoruesve të kësaj lëndë sintetike. Mersini dhe Banushi, janë ndaluar nga agjentët e antidrogës në momentet kur po shisnin lëndën e metadonit tek klientë të ndryshëm në afërsi të Universitetit Politeknik. Madje hetuesit e Antidrogës, pohuan mbrëmë se Banushi, që njihet edhe si një nga furnizuesit kryesorë të përdoruesve me metadon, deri pak muaj më parë kishte qenë vetë punonjës i Qendrës së Rehabilitimit të Personave të Intoksikuar nga Droga. Hetuesit dyshojnë se e gjithë sasia e drogës sintetike, ishte marrë nga qendra ku kishte punuar më parë Artan Banushi. Ende nuk dihet se për çfarë arsyeje është larguar Banushi nga qendra e rehabilitimit të intoksikuarve nga droga, por policia tha se po heton edhe në këtë drejtim. Burimet nga hetimi pohojnë për gazetën “Panorama”, se i arrestuari ka mundur t’i sigurojë tabletat me metadon në mënyrë të vazhdueshme sipas kërkesave të klientëve me të cilët mbante komunikim të rregullt. Sipas specialistëve të antidrogës, të njëjtën veprimtari ky person dyshohet ta ketë kryer edhe gjatë kohës që ka punuar në Qendrën e Rehabilitimit të Personave të Droguar. Në momentin e arrestimit të tij, nga agjentët e Antidrogës të dyshuarit i janë bllokuar një shumë prej 20 mijë lekësh të vjetra, që mendohet se është fituar nga shitja e drogës sintetike, si dhe 64 tabletat me metadon të cilat ndodheshin në një kuti plastike për mbajtjen e lëndës. Lënda e metadonit është lejueshme të shitet nëpër farmaci apo nëpër spitale në mënyrë të rezervuar dhe me rekomandim të veçantë të mjekut përkatës. Pavarësisht kësaj, Artan Banushi, i shpërndante tabletat pa rekomandim nga mjeku dhe jashtë farmacive duke shkelur kështu ligjet dhe rregullat e përcaktuara për përdorimin e metadonit. Gjatë kontrollit në banesë, policia i ka bllokuar edhe një armë pistoletë me mulli të kalibrit 9 mm, që mbahej prej të arrestuarit pa leje bashkë me 80 fishekë. I arrestuari tjetër, Eugen Mersini, 37 vjeç, sipas policisë dyshohet se është bashkëpunëtor në shitjen dhe shpërndarjen e metadonit. Specialistët të antidrogës thanë se ata nuk kishin zbuluar lidhje të Artan Banushit me qendrën ku ai kishte punuar deri dy muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›