E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i KESH-it Stojku: “Fierza rritët me 1 cm në orë

Autori i Lajmit: Redaksia

Për situatën emergjente në veri të vendit ka reaguar dhe drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Muharrem Stojku. Stojku informoi mediat dhe opinionin publik mbi të dhënat e prurjeve dhe shkarkimeve në tre hidrocentralet mbi Kaskadën e lumit Drin. Ai tha se gjatë dy ditëve të fundit niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është rritur me një centimetër çdo orë. Për sa i përket Fierzës, duke iu referuar të dhënave deri në orën 11.00 të paradites së djeshme, Stojku tha se shkarkimet janë me 710 m3/sek, prurjet 1360 m3/sek. Megjithatë, duke pasur parasysh se tre orë më parë prurjet ishin 1560 m3/sek, drejtori i KESH tha se kjo është shenjë e uljes së prurjeve. “Në Koman shkarkojmë 1100 m3/sek dhe jemi në rënie të kuotës 4-5 cm në orë. Tani jemi 174.12 m ndërsa prurjet janë 500 m3/sek. Në Vaun e Dejës prurjet janë 120 m3/sek, shkarkimet 1450 m3/sek nga portat dhe me gjithë shkarkimet nga turbinat ato shkojnë 2000 m3/sek”, tha Muharrem Stojku. Drejtori i KESH-it pranoi se ka përmbytje, por theksoi se deri më tani ato nuk kanë përfshirë banesat e popullatës përreth. Ndërsa, theksoi gatishmërinë e punonjësve të KESH-it për të përballuar situatën dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme, Muharrem Stojku u shpreh optimist se të dhënat flasin për ulje të prurjeve.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›