Drejtori i Kombinatit Ushtarak, vëllai i bosit të heroinës
TIRANE-Qysh nga 25 nëntori i vitit 2007, në detyrën e drejtorit të Kombinatit Ushtarak të Poliçanit, u emërua Kasëm Mahmutaj, vëllai i Gazmend Mahmutaj, i arrestuar në Itali në nëntor të vitit 1998, ndërsa ishte në shoqërinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Më 18 nëntor 1998, Gazmend Mahmutaj, një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, ishte duke kaluar transit në aeroportin “Malpensa” në Milano, së bashku me një grup parlamentarësh shqiptarë. Deputetët nga Shqipëria shkonin në Parlamentin Europian për një mbledhje për krimin e organizuar. Mahmutaj e dinte që ishte në kërkim nga autoritetet italiane, prandaj duke përfituar nga miqësia me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kishte siguruar dokumente të falsifikuara me emrin Raqi Gjoni. Pavarësisht dokumenteve të falsifikuara dhe faktit që ishte pjesëtarë i një delegacioni parlamentarësh shqiptarë që shkonin në Francë, Mahmutaj nuk mundi t’i shpëtonte policisë. Ai është dënuar me 10 vjet burg nga një gjykatë italiane për trafik prostitutash dhe i inkriminuar në Milano si kreu i një organizate ndërkombëtare trafiku heroine.
Mahmutaj, sipas dosjes italiane, udhëtonte me emrin fals Raqi Gjoni. Mediu, nënvizohet në dosjen e vendimit të zyrës së gjyqtarit për seancat paraprake të Milanos, “ka konfirmuar ndër të tjera identitetin që ka treguar njeriu që kërkohej (Mahmutaj), që ndër të tjera mbështetej nga një pasaportë shqiptare”. Kryetari republikan, vijohet në dosje, “ka penguar me ndërgjegje të plotë oficerët e Policisë së Gjykatës që të procedonin në operacionin e verifikimit për kapjen e Mahmutajt. Vëllai i superbosit, i emëruar si drejtor i ri i objektit më të madh të industrisë ushtarake në vend me firmën e ministrit të Mbrojtjes të aso kohe, Fatmir Mediu, është njëkohësisht dhe kreu i Partisë Republikane në qytetin e Beratit, madje ka qenë dhe kandidat i kësaj force politike në zgjedhjet për pushtetin vendor në shkurt 2007. Një fakt të tillë ai e pohon edhe në dëshminë e dhënë në datën 19 prill 2008, para oficerit të policisë gjyqësore, Ermal Milori, me detyrë oficer i policisë gjyqësore, pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Tiranë, pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Tiranë. “Unë jam drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan, po ashtu jam dhe kryetar i degës së Partisë Republikane të Beratit. Detyrën e drejtorit të kombinatit unë e ushtroj që prej datës 25.11.2007. Kombinati që unë drejtoj, është nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, emërimi i drejtuesit të kombinatit, i këshillit drejtues të kombinatit, bëhet nga ana e ministrit të Mbrojtjes”, - sqaron ai.
(d.b/GSH/BalkanWeb)