Leka Zogu kërkon referendum për formën e regjimit
Nisur nga debati i fundit të politik parlamentar mbi ndryshime të mundshme në Kushtetutë, ka reaguar edhe Oborri Mbretëror Shqiptar. Pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu është shprehur në një deklaratë për median se për hir të stabilitetit të vendit, duhet të kihet parasysh se forma e regjimit në Shqipëri është ende e pazgjidhur ndaj dhe duhet një referendum për zgjidhjen finale të tij. Oborri Mbretëror është shprehur se duhen lënë mënjanë ndryshimet e panevojshme në Kushtetutë të cilat ndikohen nga politikat e ditës. “Oborri Mbretëror Shqiptar dëshiron të theksojë se për hir të stabilitetit dhe seriozitetit të shtetit, duhen lënë mënjanë ndryshimet e panevojshme në Kushtetutë që bëhen të diktuara nga politika e ditës. Në rast se klasa e sotme politike merr përsipër të bëjë ndërhyrje në Kushtetutë, ajo duhet të ketë parasysh faktin se forma e regjimit në Shqipëri është akoma e pazgjidhur dhe se një Referendum mbarëkombëtar është i domosdoshëm për zgjidhjen e saj”, - thuhet në deklaratën e Oborrit Mbretëror.
14 Prill 2008