Prokuroria dhe policia, bashkëpunim për luftën kundër krimit
TIRANË - Forcimi i bashkëpunimit mes strukturave të Prokurorisë dhe Policisë në luftën kundër krimit do të konkretizohet javën e ardhshme me nënshkrimin e një marrëveshjeje nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë të shtunën për ATSH-në, se marrëveshja konsiston në nënshkrimin e një urdhri të përbashkët në lidhje me funksionimin e shërbimeve të policisë gjyqësore. Sipas burimeve zyrtare, kjo marrëveshje do të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit dhe përcaktimin e qartë të kompetencave mes policisë gjyqësore pranë Policisë së Shtetit dhe asaj në Prokurori. Marrëveshja e bashkëpunimit pritet të nënshkruhet të martën në ambientet e Hotel “Tirana International” në Tiranë, në praninë e drejtuesve më të lartë të Prokurorisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
14 Prill 2008