Karburantet, shënohet rekordi në tregun vendas
Hidrokarburet kanë bërë hapin e radhës drejt rritjes më të madhe të shënuar ndonjëherë në tregun tonë. Nafta ka arritur dje rritjen historike të saj në 154 lekë/litri për naftën e tipit “D1”. Vetëm një javë më parë çmimi i hidrokarbureve në tregun vendas luhatej nga 140-145 lekë/litri në një kohë që në tregjet botërore ajo pësoi një ulje të lehtë, por që nuk u reflektua në tregun vendas. Lidhur me këtë situatë importuesit e hidrokarbureve deklaruan se “ata kishin akoma rezervat e blera me çmimin e mëparshëm, i cili ishte më i shtrenjtë”. Por ndryshe nga sa pritej, jo vetëm që çmimi i naftës nuk u ul, por si për hironi, u rrit më tepër duke kapur pajat për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër. Importuesit, ashtu si gjithmonë, ia faturojnë rritjen e re, të paparalajmëruar, tregut ndërkombëtar. Sipas tyre, “kanë qenë çmimet e reja të hidrokarbureve që janë rritur në bursat ndërkombëtare, të cilat i kanë detyruar ata që të bëjnë rritjen e radhës”. Por me këtë rritje të radhës, çmimi i naftës në tregun vendas të pakicës është shtrenjtuar me 35 për qind. Në fillim të vitit të kaluar (2007) një litër naftë “D1” në tregun vendas të pakicës kushtonte 115-120 lekë/litri. Por importuesit dhe tregtarët e pakicës, duke parë indiferencën e shtetit në këtë drejtim, kanë lëvizur në drejtim të një marzhi vetëm rritës të çmimit të karburanteve gjatë vitit të kaluar, duke kulmuar me këtë fillim viti. Kjo gjë është parë dhe nga specialistët e ekonomisë si një prej arsyeve kryesore të rritjes së inflacionit dhe të krizës inflacioniste me të cilën po përballet ekonomia e vendit. Po ashtu, ekspertët e ekonomisë thonë se, krahasuar me një vit më parë edhe çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare është rritur me gati 40 dollarë për fuçi.
Turizmi, Shqipëria ende jo tërheqëse për të huajt
Turizmi, edhe pse konsiderohet një ndër sektorët kyç të ekonomisë, vazhdon të mbahet kryesisht nga emigrantët shqiptarë, që kthehen në atdhe për pushime gjatë sezonit veror.
Konstatimin e ka bërë Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të saj. Sipas të dhënave zyrtare nga institucioni mbikëqyrës bankar, të ardhurat nga turizmi janë rritur gjatë vitit 2007 me 24 për qind. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e numrit të shtetasve të huaj dhe emigrantëve. Këta të fundit përbëjnë edhe 62 për qind të totalit të turistëve që gjatë vitit të kaluar kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar. Por, ndërsa numri i emigrantëve është rritur, ditë-qëndrimi mesatar i tyre ka pësuar rënie. Krejt ndryshe ka ndodhur me qytetarët shqiptarë që kanë pushuar jashtë vendit. Sipas BSH-së, jo vetëm që është rritur ndjeshëm numri i tyre, por është shtuar edhe ditë-qëndrimi dhe shpenzimet ditore që ata kanë bërë. Kështu, gjatë vitit 2007 qytetarët shqiptarë kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë shtetit një shumë që llogaritet në 923 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë kemi një rritje prej 20 për qind. Kjo tregon se Shqipëria mbetet larg të qenit tërheqëse për turizëm, jo vetëm për turistët e huaj, por edhe për ata vendas.
Ndërkohë biznesi vendas i kërkon qeverisë që të aplikojë lehtësi për të zhvilluar sektorin e turizmit. Sipas Konfindustrisë, duhen tërhequr investitorët e huaj për të ngritur këtë industri. Në të kundërt, turizmi do të mbetet në faza primitive, siç është aktualisht, dhe përfitimi nga ky sektor do t’u kalojë fqinjëve tanë, që kanë një turizëm shumë më të zhvilluar se ne. Turizmi në Shqipëri është zhvilluar gjatë viteve të fundit në mënyrë kaotike. Një problem i theksuar mbetet mungesa e infrastrukturës, veçanërisht asaj rrugore, por përmirësime nevojiten edhe në sektorin e shërbimeve, ku ka mangësi në akomodim.
14 Prill 2008