E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Tatimeve në gjyq për rrëmbim

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, dërgohet në bankën e të akuzuarve i dyshuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës.

Trazhgim Sokolaj

Zyrtari i lartë i Tatimeve akuzohet për këtë ngjarje bashkë me tre ish-efektiva të tjerë të Shërbimit Informativ Kombëtar, në të cilin Sefgjini ka ushtruar detyrën e kreut të degës së Tiranës. Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e tij më 21 tetor 1995, bashkë me kreun aktual të Tatimeve, Arben Sefgjini, akuzohen edhe ish-kryetari i degës së SHIK-ut të Tiranës, Ilir Kumbaro (person në kërkim), ish-shefi i bazës së vëzhgimit, Avni Koldashi dhe ish-inspektori i Shërbimit Sekret, dega Tiranë, Budjon Meçe. Lajmi konfirmohet nga Zyra e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, sipas të cilës, akuzat e ngritura ndaj katër të pandehurve, janë: “Rrëmbim personi” dhe “torturë me pasoja të rënda”. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se, ish-zyrtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar, rrëmbyen në mënyrë të dhunshme në periudhën shtator-tetor 1995 tre persona: Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha. Tre të rrëmbyerit, sipas Prokurorisë, u dërguan në një ndërtesë sekrete nën administrimin e Shërbimit Informativ në Vain të Lezhës ku besohet se janë marrë në pyetje për disa ditë me radhë. Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se si pasojë e keqtrajtimeve, në bazën e SHIK-ut në Lezhë, Remzi Hoxha, pronar i një punishteje duralumini në Tiranë, ka gjetur vdekjen. Keqtrajtimet dhe torturat ndaj tre personave të rrëmbyer kanë vazhduar për disa ditë ndërsa Ziso Kristopulli e Avdyl Loshaj kanë arritur të shpëtojnë gjallë, kurse Remzi Hoxha, si duket i dhunuar më shumë se dy të tjerët, nuk ka mundur të mbijetonte. Vendi ku përfundoi kufoma e tij është mbuluar me mister. Hetimet disavjeçare të Prokurorisë së Tiranës, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Krimeve të Rënda, edhe pse tentuan disa herë në këtë drejtim, nuk mundën të zbulojnë asgjë.
Zhdukja misterioze
Shqipëria ka marrë kritika të forta nga të gjitha raportet vjetore të “Amnesty International” jo vetëm për zhdukjen e Remzi Hoxhës, por edhe për mosndëshkimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Emrat e akuzuar në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë lakuar për vite me radhë, saqë në vitin 2003, pas rihapjes së dosjes për zhdukjen e Remzi Hoxhës, Prokuroria urdhëroi arrestimin e tyre. Në maj 2003 në prangat e policisë ranë Arben Segjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi. I vetmi i akuzuar i shpallur në kërkim, të cilin policia nuk mundi të arrestonte, ishte Ilir Kumbaro. I cili rezultonte i larguar jashtë vendit, ndoshta me qëndrim në Angli. Një vit më pas, tre të arrestuarit u lanë të lirë pasi akuza e ngritur ndaj tyre, ishte aminsuar me dekret presidencial në vitin 1997. Arben Sefgjini, Anvi Koldashi dhe Budjon Meçe morën dëmshpërblim nga gjykata për kohën e mbajtjes në qeli. Pesë vite më vonë, ndaj tyre Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dy akuza të tjera duke i dërguar për gjykim për të njëjtën ngjarje. Për këtë shkak, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk është kërkuar arrestimi i tre të pandehurve. “Ata e kanë kryer afatin e mbajtjes në paraburgim dhe një gjë e tillë nuk mund të bëhet prapë derisa ata akuzohen për të njëjtën ngjarje”, tha Prokuroria. Kjo e fundit konfirmoi se, tashmë në dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, janë përfshirë edhe rrëmbimet e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të cilët janë mbajtur në të njëjtën bazë me të zhdukurin dhe që sot janë gjallë e mund të dëshmojnë një pjesë nga ajo çfarë ka ndodhur në bazën sekrete të SHIK-ut në Lezhë.
Tri rrëmbimet
Më 17 tetor 1995 në Ksamil të Sarandës persona të prezantuar si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaluan Ziso Kristopullin, në atë kohë, kryetar i degës së Partisë Socialiste në këtë zonë. Një ditë më pas Kristopulli u thirr në policinë e Sarandës e cila ua dorëzoi atë njerëzve që kishin tentuar ta rrëmbenin një ditë më parë. Në ditët e fundit të tetorit 1995 rrëmbehet dhe çohet në bazën e SHIK-ut në Vanin të Lezhës, edhe një tjetër, Avdyl Loshaj, i cili e kishte takuar Ziso Kristopullin pak ditë më parë, duke iu prezantuar si reporter i huaj. Remzi Hoxha u rrëmbye në oborrin e punishtes së duraluminit “Albatros” në pronësi të tij, më 21 tetor 1995. Ai është marrë nga një makinë “Golf II” me targa TR 2449 C, e cila pas verifikimeve rezultoi se ishte e SHIK-ut. Fati i tre personazheve të rrëmbyera brenda pak ditëve, bashkohet në bazën sekrete të SHIK-ut në Lezhë. Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj përfundojnë aty dhe mbahen disa ditë. Kristopulli lirohet pak kohë më vonë, Loshaj largohet në mënyrë enigmatike dhe për pak ditë qëndron në Spitalin Ushtarak të Tiranës prej nga ku pretendohet se është arratisur, ndërsa Remzi Hoxha zhduket pa lënë asnjë gjurmë. Njëri nga dy personat që u mbajtën bashkë me të në bazën e SHIK-ut në Lezhë, ka dëshmuar se kishte dëgjuar britmat e Remzi Hoxhës, teksa keqtrajtohej duke u marrë në pyetje nga punonjësit e SHIK-ut.

Prova kryesore,raporti i SHIK-ut të Fatos Klosit

TIRANE – Një nga provat kryesore të Prokurorisë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, është një raport i hartuar nga vetë Shërbimi Informativ në kohën kur ky institucion drejtohej nga Fatos Klosi. Ky i fundit në dëshminë e tij tek Prokuroria e Krimeve të Rënda dhënë vitin e kaluar, dorëzoi edhe raportin e hartuar nga Shërbimi Informativ në vitin 2003, të klasifikuar sekret shtetëror. Sipas raportit, veç katër personave të akuzuar tashmë nga Prokuroria për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, edhe pesë punonjës të tjerë të SHIK-ut, kishin marrë pjesë në këtë ngjarje. Në raport përmenden me emra të gjithë personat e dyshuar ndërsa thuhet se, Remzi Hoxha vdiq në Vain të Lezhës si pasojë e keqtrajtimeve gjatë marrjes në pyetje.

Familja e Remzi Hoxhës: Të hetohet ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede

TIRANE – Familja e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha kërkoi dje që drejtësia të zgjerojë hetimin për autorët e zhdukjes së njeriut të tyre të afërt. Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, tha se, derisa Prokuroria akuzon ish-punonjës të SHIK-ut për rrëmbimin dhe zhdukjen e babait të tij, rin për këtë veprim duhet ta kenë dhënë ish-drejtues të Shërbimit Sekret. Djali i Remzi Hoxhës e konsideroi veprimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda si një hap të rëndësishëm por shtoi se, në zhdukjen e babait të tij, provat tregojnë se janë implikuar edhe katër punonjës të SHIK-ut. Në mënyrë të vazhdueshme, familja e Remzi Hoxhës dhe avokati i tyre, kanë kërkuar që Prokuroria shqiptare të hetojë edhe rolin e ish-shefit të Shërbimit Sekret, Bashkim Gazidede, në këtë ngjarje. Në fakt vetë Gazidede është marrë në pyetje vitin që shkoi në Prokurorinë e Krimeve të rënda, ku është shprehur se gjatë ushtrimit të detyrës në krye të SHIK-ut kishte zbatuar vetëm ligjet e shtetit shqiptar. Gjithsesi dje familja e Remzi Hoxhës kërkoi që drejtësia të zbardhë plotësisht atë që ka ndodhur me biznesmenin, duke e konsideruar këtë si një provë për vërtetësinë e luftës kundër krimit.

Të akuzuar

1. Arben Sefgjini
ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave

2. Ilir Kumbaro
ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK, Tiranë

3. Avni Koldashi
ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë SHIK, Tiranë

4. Budjon Meçe
ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK, Tiranë

Akuzat
“Rrëmbim personi”
“Torturë me pasoja të rënda”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›