Drejtori i UNESCO, Matsuura nderohet sot qytetar nderi i Beratit
Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s z. Koichiro Matsuura pritet të vizitojë sot qytetin e Beratit. Vizita e tij kryhet në kuadrin e pranimit të qendrës historike të Beratit në listën e UNESCO-s. Gjatë vizitës së tij, z. Matsuura do të ketë një ceremoni në bashkinë e qytetit të Beratit në praninë e Këshillit Bashkiak, ku do ti dhurohet titulli Qytetar Nderi i Beratit me motivacionin: Për kontributin e dhënë në njohjen, promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore e Historike të qytetit të Beratit dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë për regjistrimin e Beratit si Pasuri Botërorë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s z. Koichiro Matsuura, ka patur një rol të rëndësishëm gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit të dosjes së Beratit për tu përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s. Z. Matsuura ka mbajtur qysh në fillim të këtij procesi, një qëndrim pozitiv dhe dashamirës ndaj qytetit të Beratit, qysh në procesin e shqyrtimit të dosjes, deri në pranimin e Beratit më 8 korrik të 2008 në listën e UNESCO-s. Z. Matsuura është Drejtor i UNESCO-s prej 9 vjetësh, duke mbajtur postin më të lartë në UNESCO në mandatin e tij të dytë, pas një karriere të suksesshme diplomatike si Ambasador i Japonisë në SHBA, si përfaqësues i Japonisë në G-7, dhe si Ambasador i Japonisë në Francë. Pas ceremonisë në Bashkinë Berat, z. Matsuura do të inspektojë Kalanë dhe Qendrën Historike të Beratit.