E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i lejeve të ndërtimit në Komunën e Farkës, prokuroria mban pezull hetimin

KLSH paditi 20 persona për abuzime me pronat dhe lejet e ndërtimit
Skandali i trojeve dhe lejeve të ndërtimit ka përfshirë edhe komunën e Farkës, ku kryetari, ish kryetari, drejtori i Urbanistikes, juristet, tekniket dhe inxhinieret vazhdojnë të jenë  nën hetim. Prokuroria vazhdon të hetojë kreun e Komunës Farkë duke bllokuar një pjesë të mirë të dokumentacioneve. Megjithëse denoncimi ndaj kryekomunarit Bardh Plaku dhe zyrtarëve të komunës Farkë është bërë nga KLSH në vitin 2008, ky hetim vazhdon të zgjasë si të gjitha hetimet ku luajnë interesa miliardësh. Institucioni i Prokurorisë është treguar neglizhent në hetimin ndaj kësaj komune, ndërkohë që për komunën e Kasharit hetimi mbaroi në kohë rekord. Akuzat që rëndojnë mbi krerët e kësaj komune kanë të bëjnë me tjetërsim pronash, dhënie tituj pronësish false me vlera miliona euro, dhënie leje ndërtimi duke thyer ligjet dhe rregullat e vendosura. Janë te paktën 20 persona që janë vënë nën hetimin e prokurorisë për miratimin e 447 kërkesave për leje ndërtimi, nga të cilat 190 janë sheshe ndërtimi për pallatet, 173 leje ndërtimi dhe mbi 80 të ndryshme. Drejtuesit e komunës akuzohen për shkelje të rregullave të vendosura nga Këshilli i Ministrave dhe kalimin e kërkesave pa u shqyrtuar e miratuar nga KKRRTSH-ja. Sipërfaqe të tëra, të paktën 15 hektarë, rezultojnë të transformuara në godina shumëkatëshe me të paktën 100 firma përfituese të këtyre lejeve. Nga Farka në Bathore, nga Selita, në Sauk, zonat më të lakmuara ku vija e verdhe nuk është respektuar, janë dhënw mw shumë nga c'duhej sipërfaqe për shfrytëzim dhe nuk janë respektuar planet dhe studimet pjesore urbanistike dhe ato të ambientit. Jo vetëm kaq, por edhe miratime nga komuna pa kërkesën e vetë pronarëve të trojeve, por nga subjektet private të interesuara, duke shkelur hapur ligjin për Urbanistikën. Ndërkohë kryetari i komunës së Farkës është akuzuar edhe nga kryeministri Sali Berisha i cili deklaroi se: Kryetari i komunës ka dhënë leje ndërtimi pa u miratuar më parë plani pjesor i zonës ne do të bëjmë  anulimin e këtyre lejeve. Por kreu i qeverisë ka vazhduar duke thënë se, "ne duhet tu vëmë një rregull këtyre zonave. Po i shkatërruam edhe këto, atëherë asgjë nuk i mbetet Tiranës. Të paktën Farkën kemi mundësi ta ruajmë, sepse kemi një studim arkitektësh". Megjithëse kryeministri i vendit akuzoi këtë kryetar komune për shkatërrimin e kurorës së Tiranës, tashmë duket se është tërhequr pasi mesa  duket edhe atë vetë e kanë tërhequr kodrat e Tiranës dhe siç dihet në këtë komunë vendosin njerëzit e Berishës për politikën e lejeve të ndërtimit. Ndërkohë që në drejtim të kryetarit të Komunës së Farkës akuza të shumta ka adresuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Pavarësisht artikulimeve politike, prokuroria vazhdon të kryejë katoi hetim me hapin e breshkës pavarësisht se në dyert e saj qëndron denoncimi i KLSH, i dokumentuar me të gjitha shkeljet që ka bërë kjo komunë.
Denoncimi për tjetërsim prone
Krerët vendorë të Komunës Farkë në Periferi të Tiranës u vunë nën hetim nga Prokuroria nën akuzën e mbivendosjes së pronave. Task-Forca kundër krimit ekonomik-financiar ka thënë se komunarët kanë dhënë tituj pronësie false në një sipërfaqe prej dhjetëra dynymësh me vlerë miliona euro. Skandali është denoncuar nga banorët e zonës, të cilët në përpjekje për të kryer procedura për tjetërsimin e truallit që zotërojnë kanë konstatuar në hipotekë se prona nuk ishte e tyre, por e dikujt tjetër. Të alarmuar janë drejtuar në komunë, te krerët vendorë, prej të cilëve kanë marrë një përgjigje të prerë: "Ju nuk keni prona". Pas kësaj procedure kanë kryer denoncime në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka filluar një hetim të gjerë, duke kërkuar ndihmë nga banorët e zonës që të denoncojnë rastet. Deri dje në seksionin e Task-Forcës janë regjistruar rreth 20 kallëzime. Pretendimet e banorëve po krahasohen me të dhënat në komunë, nga ku është konstatuar disa parregullsi procedurale. Bëhet fjalë për tituj pronësie, ku disa banorë kanë tituj për të njëjtën pronë.
Konkluzionet e KLSH për komunën Farkë
Për vitin 2005 janë dhënë 17 leje e sheshe ndërtimi nga KKRT-ja e komunës jashtë vijave kufizuese të vijës së verdhë.  Shkelje në Studimet Rajonale Mjedisore të zonës Selitë-Sauk, Farkë-Lundër, Mullet-Petrelw me sipërfaqe 15 ha. Studime urbanistike pjesore zonës nr. 6, Selite-Garunjë, zonës nr. 5, Mjull-Bathore, që s'janë miratuar nga KRRTRSH-ja, por gjenden në sekretari, por as KKRT dhe Këshilli Teknik nuk kanë miratuar studime pjesore për lejet e miratuara. Janar-dhjetor 2005, janë zhvilluar 10 mbledhje të KRRT dhe shqyrtuar 207 kërkesa, janë miratuar 99 leje sheshe ndërtimi, 86 leje ndërtimi dhe 22 të ndryshme.
Janar-dhjetor 2006 janë zhvilluar 8 mbledhje të KRRT-se, janë shqyrtuar 169 kërkesa dhe miratuar 77 leje sheshe ndërtimi, 61 leje ndërtimi dhe 31 të ndryshme
Janar-dhjetor 2007, janë zhvilluar 4 mbledhje të KRRT-se, janë shqyrtuar gjithsej 71 kërkesa, 14 leje sheshe ndërtimi, 26 leje ndërtimi dhe 31 të ndryshme
2005-2007, 447 kërkesa të miratuara, 190 leje sheshe ndërtimi (pallate), 173 leje ndërtimi, 84 të ndryshme.
Për vitin 2005
Nw 81 raste KRRT-ja ka shqyrtuar e miratuar kërkesat për leje e sheshe ndërtimi pa pasur një plan urbanistik mjedisor rajonal. Në 14 raste janë miratuar nga KRRT sheshe e leje ndërtimi jashtë vijave kufizuese të fshatit pa plan urbanistik. Ne 34 raste, Drejtoria e Urbanistikes ka pranuar kërkesa për miratim të destinacionit funksional nga subjekte private dhe jo nga pronarët e truallit. Në disa raste janë pranuar dhe shqyrtuar kërkesat në mbledhje tw KRRT, pa pasur plane urbanistike e studime, pasi është KRRT e qarkut që i vlerëson dhe miraton. Subjekteve private u janë dhëne 8 leje ndërtimi jashtë kritereve të përcaktuara dhe koeficientit të shfrytëzimit të territorit, apo pa plane urbanistike.
Për vitin 2006
Të gjitha lejet e ndërtimit nuk kanë të bashkangjitur planin urbanistik pjesor. Nw 21 raste janë miratuar leje ndërtimi me koeficient shfrytëzimi të sheshit të ndërtimit më i madh se ai i përcaktuar  në studim. Janë 22 firma ndërtimi që kanë përfituar sipërfaqe jashtë kritereve.  Në 9 raste janë miratuar leje ndërtimi për objekte 4-5 kate, ku sipërfaqet rezultojnë më të mëdha nga të caktuarat. Në 3 raste, Zyra e Urbanistikës ka pranuar kërkesa për miratim të destinacionit funksional jo nga pronarët e truallit, por nga firmat e ndërtimit. Në dy raste, në dosjet e objekteve, nuk ndodhej dokumenti për pëlqimin mjedisor. Në 4 raste janë miratuar projektet e ndërtimit të objekteve nga Zyra e Urbanistikës, me vlerë të preventivuar të investimit mbi 100 milionë lekë, pa bërë më parë oponencën teknike për projektin e ndërtimit të objektit.
Për vitin 2007
Në 25 lejet e ndërtimit të shqyrtuara dhe miratuara nga Këshilli Teknik dhe KRRT për vitin 2007, nuk kanë të hartuar dhe miratuar studimin urbanistik pjesor, por vetëm planimetrinë. Në një rast është miratuar leje ndërtimi me koeficient shfrytëzimi te sheshit të ndërtimit me te madh se i përcaktuar në studim. Në 17 raste sheshi i ndërtimit është miratuar aq sa është prona, pa e zhveshur pronën nga elementët e infrastrukturës.
Të denoncuar
Kryetari dhe ish kryetari i komunës Farkë, Drejtori dhe ish drejtori i Urbanistikës, Juristi i komunës, Përgjegjësi i Kadastrës, Tre anëtarë të Këshillit Komunal, Inxhinieri, Arkitekti, Përfaqësuesi i shoqatës së ndërtuesve, Specialisti i fushës (të gjithë anëtarët e KRRT se Farkës)

Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 14:02

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›