Vasili: Berisha qeveris, mos abuzo
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe administratën shtetërore për abuzim me interesat e shqiptarëve në prag të fushatës elektorale. Sali Berisha tashmë ka hequr përfundimisht dorë nga qeverisja e vendit. Sot vendi nuk qeveriset më dhe Kryeministri ka zëvendësuar punët e qeverisë me propagandën elektorale dhe manifestimet dhe inaugurimet demagogjike dhe mashtruese, është shprehur Vasili.
Gjatë akuzave të tij, Vasili theksoi se sot gjendja ekonomike e vendit po rëndohet së tepërmi, sepse kryeministri Berisha dhe administrata shtetërore për qëllime elektorale i kanë lënë në mëshirë të fatit investimet publike. Gjithashtu Vasili theksoi se sot është bërë e pamundur për qytetarët shqiptarë që të mbarojnë punët dhe hallet e tyre sepse administrata shtetërore e ka humbur tërësisht rolin e saj, dhe se ajo është shndërruar në një administratë elektorale e cila transportohet anembanë Shqipërisë për të mbushur sheshet ku zhvillon mitingjet Partia Demokratike dhe lideri i saj Berisha.Shpërdorimi skandaloz i administratës shtetërore për qëllime elektorale ka paralizuar plotësisht funksionimin e shtetit, duke e kthyer shtetin nga një garant të interesave të qytetarëve në një antishtet elektoral, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Vasili. Ai u shpreh se kryeministri Berisha po ndjek të njëjtën strategji që ndoqi në zgjedhjet e vitit 1996, e cila ishte strategjia e tokës së djegur, e cila më pas solli dhe tragjedinë e vitit të mbrapshtë për shqiptarët atë të 97. Arsyeja se përse Berisha po ndjek këtë strategji sipas Vasilit, është se ai po e parandien humbjen e këtyre zgjedhjeve. Ai i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të kthehet sa më parë në krye të qeverisë për ta drejtuar qeverinë e tij edhe këto pak ditë që i kanë mbetur. Sali Berisha duhet të kthehet sa më parë në zyrën e Kryeministrit për të drejtuar Qeverinë edhe në këto pak ditë, që i kanë mbetur, sepse drejtimi i shtetit nuk është një biznes familjar, por një detyrim publik ndaj më shumë se tre milionë shqiptarëve, u shpreh Vasili. Gjithashtu ai ju bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që në datën 28 qershor të shkojnë në qendrat e votimeve dhe të votojnë LSI, pasi sipas tij me fitoren e opozitës, do të largohej njëherë e mirë antishteti i Berishës dhe do të krijohej një shtet i qytetarëve evropian, që e duan shtetin dhe ligjin. Dhe i respektojnë ato. Në fund të fjalës së tij Vasili ka folur dhe për problemin që do të kenë zgjedhjet në qoftë se nuk do të arrihet që të bëhet pajisja me karta identiteti i të gjithë votuesve pa pasaportë, sipas tij ky është një problem i madh dhe shumë serioz dhe do të rrezikonte seriozisht këto zgjedhje, dhe do të jetë një dëm i madh që do të bie ndesh me standardet evropiane.