LSI, Fier: Do zgjidhim çështjen çame
Krerët e LSI-së Fierit janë angazhuar për të mbrojtur interesat çame, dhe se do të punojnë forcërisht për ta vënë këtë çështje në rrugën e zgjidhjes. Ky fakt është pohuar gjatë takimit të zhvilluar në lagjen 1 maji Kodër nga LSI dhe kandidatët e saj për zgjedhjet e qershorit. Kjo zonë është e banuar në pjesën mbizotëruese nga komuniteti çam.
Gjatë takimit që kandidatët e LSI-së dhe krerët e saj zhvilluan me komunitetin çam, ju është konfirmuar se ky komunitet do të ndihet kurdoherë sa i përkrahur dhe i mbështetur nga politikat e kësaj force. Gjatë fjalës së tij kreu i shtabit të LSI-së së Fierit Bardhi Meli ka theksuar faktin se LSI-së dhe lidershipi i saj Ilir Meta në mënyrë të vazhdueshme kanë ditur të mbrojnë dhe të ngrenë zërin për çështjen çame. Meli ka kujtuar faktin se edhe në mes të Athinës kreu I LSI-së Ilir Meta ka ngritur zërin për këtë çështje . Sipas tij Berisha nuk ka kurajën të thotë që, çamëve ju takon që të jetojnë në tokat e tyre në Çamëri. Në këtë takim nënkryetari i LSI-së së Fierit Shkëlqim Murati i ardhur nga radhët e këtij komuniteti ka theksuar faktin se, për 18 vjet me radhë kjo çështje ka mbetur ende pa u vënë në rrugën e zgjidhjes ndërkohë që gjenocidi çam mbetet ende një plagë e hapur dhe që kujtohet plot dhimbje. Duke folur për mbështetjen e madhe që çështja çame gjen tek politika e LSI, Murati ka theksuar se tashmë ka ardhur koha që përmes një ndërgjegjësimi të lartë, ky komuniteti nuk duhet të votojë ata që i kanë mashtruar. Pse nuk duhet të votojmë më për Sali Berishën. Dikur Berisha na ka thënë që ai e ka patur amanet çështjen çame nga babai. Dhe ai njeri që nuk mban amanetin e të atit nuk duhet votuar, theksoi Murati para komunitetit çam. Kurse kandidati Frederik Çuko theksoi faktin se edhe çështja çame që ka një rëndësi shumë të veçantë për kombin shqiptar do të mbetet në qendër të vëmendjes së politikave qeverise të kësaj force politike. Ndërsa kandidati Gëzim Shahini theksoi se Kosova dhe Çamëria janë dy motra të Shqipërisë të cilat kanë të njëjtën vlerë dhe janë në qendër të politikës së LSI-së. Nga ana tjetër duke iu referuar programit veçoi se LSI synon një Shqipëri sociale dhe një Shqipëri të gjelbërt.