Maturantët vlonjtë: Testi mesatar, administratorët të pamëshirshëm
Rreth 2400 maturantë vlonjatë kanë dhënë dje provimin e parë të maturës shtetërore, atë të letërsisë. Ata janë grumbulluar nëpër shkollat e caktuara më parë nga drejtoria rajonale arsimore, asnjë shkollë private nuk e ka dhënë provimin në ambientet e shkollës së vetë rreth orës 03:00 dhe në orën 10:00 është bërë hapja e zarfeve me 25 pyetjet që përmbante provimi.
Gjatë gjithë kohës së provimit është tentuar nga drejtues shkollash për të qenë të pranishëm në ambientet ku jepnin provim nxënësit e shkollës së tyre, por ata nuk janë lejuar nga administratorët e provimit për të qenë të pranishëm në këto ambiente. Në çdo shkollë ka qenë i pranishëm edhe një punonjës policie që në çdo çast ka qenë i gatshëm të zbatonte urdhrat e dhëna nga administratori. Në këto ambiente nuk janë lejuar as gazetarët e medias së shkruar apo vizive. Për 2 orë e 30 minuta që ka zgjatur provimi, në të gjitha këto ambiente ka qenë e vështirë për të marrë ndonjë të dhënë për zhvillimin e tij. Vetëm pas orës 12:30 minuta janë marrë vesh detaje të këtij provimi. Maturantët kanë pohuar se pyetjet e testit kanë qenë të nivelit mesatar. Sipas tyre të gjithë këto pyetje janë zhvilluar gjatë katër viteve të shkollës së mesme, ndonëse ndonjë prej këtyre pyetjeve ka qenë e vështirë për tu mbajtur mend. Maturantët kanë pohuar se ndonëse e kanë pasur jo shumë të vështirë për tiu përgjigjur testit, ata e kanë pasur shumë të vështirë të komunikojnë me njëri-tjetrin, qoftë edhe për një siguri përgjigje të këtij testit. Kjo sepse administratorët kanë qenë shumë rigorozë në zbatimin e rregullores së provimit, për të mos lejuar askënd të kopjojë nga shoku apo shoqja që kanë pasur pranë. Ndryshe nga vitet e tjera kur administratorët kanë qenë në këtë qytet nga rrethet e tjera, konkretisht nga Fieri dhe Lushnja, këtë vit ata kanë qenë të gjithë nga qyteti apo rrethinat e Vlorës. Askush nga administratorët nuk është treguar tolerant dhe maturantët vlonjatë janë përpjekur vetë për të gjetur zgjidhje për 25 pyetjet e testit. Pjesa më e madhe e tyre kanë pohuar se u janë përgjigjur pozitivisht pyetjeve të këtij testi. Të ndarë në dy grupe, në maturantë të shkencave shoqërore dhe shkencave natyrore, ata kanë pohuar se pyetjet për ata që kishin zgjedhur shkencat shoqërore kanë qenë më të vështira. Tashmë maturantët presin të korrigjohen këto provime që më shumë gjasa ka mundësi për maturantët vlonjatë të bëhen në Fier.