E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i klinikës ABC: Mbi fëmijët është abuzuar seksualisht

Drejtori i klinikës private ABC, Guy Eshelman, dëshmoi dje në seancën e radhës gjyqësore ndaj ish-administratorit të qendrës “Fëmijët e tij”, Devid Braun, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur, të kryera nga ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Dino Kristodulu e Robin Arnolds. Gjatë dëshmisë së dhënë dje para togave të zeza, e cila ka zgjatur mbi 3 orë, Eshelman ka pranuar se fëmijët janë abuzuar seksualisht, por pa bërë përgjegjës persona konkretë për këto veprime. Gjithashtu, ai është shprehur se edhe pse e dinte për abuzimet, ka refuzuar të kontaktojë me organet policore shqiptare për të denoncuar abuzimet. Ai ka treguar se e kishte njohur Devid Braun në vitin 2001, kohë në të cilën Braun ishte bërë pacient i klinikës ABC, për shkak të disa problemeve personale. Ndërsa, për sa u përket fëmijëve, ndaj të cilëve ishin kryer abuzime seksuale, është shprehur se ata fëmijë i kishte çuar në klinikë vetë Braun, i cili është kujdesuar për rehabilitimin e tyre, pasi fëmijët e abuzuar shfaqnin edhe probleme në sjelljen e tyre. Në raportet e mjekut amerikan Guy Eshelman, rezulton se Devid Braun është impotent, ndryshe nga sa vërtetoi raporti i mjekësisë ligjore se Braun është i sëmurë me Fimozë, një sëmundje në organet gjenitale. Sipas raportit të mjekësisë ligjore, kjo sëmundje nuk e pengon individin të kryeje marrëdhënie seksuale. Në seancën e djeshme, gjykata rrëzoi kërkesën e avokates së Braun, për të riekzaminuar klientin e saj për shkak të sëmundjes së Fimozës. Kryetari i trupit gjykues, Gerd Hoxha, është shprehur se një ekzaminim i tillë është bërë dhe se avokatja mbrojtëse nuk kishte specifikuar pyetjet për ribërjen e ekspertizës mjekësore. Drejtorit të klinikës ABC i ka ardhur radha për të dëshmuar, pas deklarimeve të disahershme të të pandehurit Devid Braun se nuk ka abuzuar mbi fëmijët se ishte impotent, ndërkohë që dispononte dhe një raport mjekësor të lëshuar nga kjo klinikë për të. Por, në fakt, një raport mjeko-ligjor përcakton se Devid Braun nuk është impotent dhe se sëmundja nga e cila vuante nuk e pengonte të kryente marrëdhënie seksuale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›