E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Biberaj, ekstradohet në Shqipëri “i forti” i Tropojës



Dy vjet i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë, Luan Biberaj, është ekstraduar dy net më parë nga Milanoja, Itali, drejt vendit tonë. I dënuar me shtatë vjet burg, 32-vjeçari nga Tropoja është pritur në aeroportin e Rinasit na punonjësit e Drejtorisë së të Burgjeve për t’u transportuar më pas në qelitë e Burgut 302. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave pas arrestimit më datë 16 prill të këtij viti në shtetin fqinj, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Romën, mbrëmjen e së martës është finalizuar dhe ekstradimi në vendin tonë i tropojanit të kërkuar.

Plagosja

Sipas vendimit të gjykatës, më 6 dhjetor të vitit 1999, rreth orës 16:00, Rukije Kurtsmajli ka qenë duke u kthyer në banesën e saj të ndodhur në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, kur ka konstatuar se i biri i saj, Kreshnik Kurtsmajli, i cili kohët e fundit kishte shfaqur shqetësime, i alarmuar vraponte drejt godinës Nr. 2 të Institutit, për tek xhaxhai i tij Hasan Kurtsmajli. E shqetësuar për këtë veprim të djalit të saj dhe e lajmëruar nga e bija e saj, Sabahete Kurtsmajli, të dyja së bashku kanë vrapuar drejt godinës Nr. 2, ku në hyrje të saj kanë takuar Luan Biberajn dhe Alfred Toskën, të cilët ajo i njihte pasi njërin prej tyre e kishte pasur nxënës.

Të armatosur dhe me ton kërcënues, këta të fundit i kërkojnë asaj t’u dorëzojë të birin, përndryshe do ta merrte të vdekur. Pas përpjekjeve pa rezultat për ta qetësuar gjendjen, kryefamiljarja Kurtsmajli hyn brenda në banesë, duke u drejtuar tek familja ku qëndronte i biri i saj dhe në këtë moment dëgjon dhe përballet me një shpërthim të fuqishëm brenda godinës, nga i cili u dëmtua në pjesë të ndryshme të trupit. Ndërkohë, nga provat e administruara në vendngjarje dhe sipas aktit të ekspertimit, rezultoi se shpërthimi ishte shkaktuar nga një granatë e cila ishte hedhur nga jashtë brenda, pikërisht nga vendi ku gjendeshin dy të pandehurit në momentin e shpërthimit. Sa më sipër, është evidentuar se midis Biberajt, Alfred Toskës dhe Kreshnik Kurtsmajlit, ka pasur një grindje për shkak të një televizori të vjedhur në banesën e dy shtetasve.

Historia

Luan Biberaj do të arrestohej më 3 shkurt të vitit 2006, pasi dyshohej si autor i vrasjes së Abdyl Demës në vitin 1999. "I forti" i Tropojës do të linte qelinë vetëm katër ditë më pas, pasi familjarët e viktimës deklaruan se vrasësi i të afërmit të tyre nuk ishte Luan Biberaj, por një tjetër person. Po kështu, prokuroria nuk mundi të sjellë kundër tij asnjë provë, që e përfshinte në krimin e rëndë. Por vetëm pak orë pas lirimit, teksa pinte kafe në afërsi të Burgut 302, Biberaj riarrestohet. Sipas të dhënave policore në atë kohë, ndaj Biberajt kishte një vendim të formës së prerë me katër vjet burg, për "pjesëmarrje në mitingje të paligjshme". Por në fakt, ky vendim ishte përkthyer në gjobë nga Gjykata e Apelit në kryeqytet, vendim me të cilin nuk ishte njohur policia. Ndërsa një tjetër vendim prej nëntë vitesh burg, për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë", ishte rrëzuar nga Gjykata e Lartë. Asgjë nuk do të përfundonte këtu. Pas gjithë këtyre ecejakeve, Biberaj do të lihej sërish i lirë, pasi edhe pse ndaj tij ishin ngritur akuza shumë të rënda, asnjëra prej tyre nuk u vërtetua. Një gjë e tillë ka bërë që pikërisht për ditët që kishte kaluar në burg, Luan Biberaj të kërkonte dëmshpërblim. Para dy vitesh, ai pretendonte se ka vuajtur padrejtësisht ditë të tëra në qeli dhe si përfundim kishte ardhur koha të merrte lekët që i takonin, derisa, pak kohë më vonë ai do të linte vendin për t’u arrestuar këtë herë edhe për plagosjen e Rukije Kurtsmajlit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›