“Masakra e Cërrikut”, pas 11 vjetësh dosja gati për gjykatën
Prokuroria e Krimeve të Rënda çon për gjykim 9 të akuzuarit si shkaktarët e kësaj masakre, ku humbën jetën 6 punonjës të gardës
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar dje hetimet mbi atë që quhet “Maskara e Cërrikut”, një nga dosjet më të rënda të vitit ‘97, ku një bandë sulmoi blindat e Gardës së Republikës duke vrarë 6 punonjës të saj dhe të policisë dhe plagosur disa të tjerë. Dosja u bë e mundur të hapej për hetim vetëm në vitin 2006, ndërsa për vite me radhë u la në harresë, ashtu si shumë ngjarje të tjera të rënda të vitit ‘97.
Akuza
Burime pranë kësaj prokurorie thanë se janë 9 persona të pandehur për këtë ngjarje, mes të cilëve dhe Roland Xhepaxhiu, një prej emrave më të lakuar në 1997-ën, që dyshohet si drejtuesi i grupit që sulmoi blindat. Ndërkohë bandës së të arrestuarve që sipas akuzës kryesohej nga Xhepaxhiu, i janë shtuar edhe tre persona të cilët akuzohen se kanë qenë në një farë mënyre “frymëzuesit politikë” të sulmit. Këta persona u arrestuan një vit më parë gjatë një operacioni të koduar “Autoblinda”, që shënoi edhe hapjen e njërës prej dosjeve të zeza të 1997-ës. Gjithashtu nga burimet mësohet se, dosja e Cërrikut do të kalojë për gjykim brenda pak ditësh. Sipas prokurorëve të çështjes në fjalë mbi të pandehurit rëndojnë akuzat e “Vrasjes me dashje, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “Vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, kryer në bashkëpunim ngelur në tentativë më shumë se një herë.
Historia
Rreth njëmbëdhjetë vjet më parë, qyteza e Cërrikut do të kthehej në një arenë lufte të përgjakshme e mjaft të komentuar më pas, mes të ashtuquajturës bandë e armatosur dhe punonjësve të Gardës së Republikës. Në fakt, ashtu si për çdo ngjarje tjetër të rëndë të ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997, edhe masakra e Cërrikut është komentuar në mënyra të ndryshme nga klasa politike shqiptare. Partia Demokratike ka akuzuar drejtues të PS-së për organizimin e kësaj masakre që solli vdekjen e gjashtë punonjësve të Gardës.
Megjithatë, ndonëse herë pas herë në shtyp janë botuar dëshmi edhe nga vetë personat e pranishëm në atë kohë, në një pjesë dosieri botuar në një të përditshme shqiptare pak vite më parë, shkruhet se sapo janë futur në qytet, në qendër ku ndodhet kinemaja, në mes një shesh dhe përballë disa pallate, ushtarët e Gardës janë ndodhur nën breshërinë e armëve nga më të ndryshmet duke filluar nga kundratanku e duke përfunduar tek granatat. “Fillimisht është qëlluar mbi blindin ku kanë ngelur të vdekur katër efektivë të Gardës: Sali Martini 42 vjeç, Halit Haxhia 27 vjeç, Bashkim Mella 21 vjeç, Besnik Syla 21 vjeç. Më pas breshëria ka përfshirë edhe ish-komandantin e grupit, Agron Kuliçi (aktualisht zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit), si dhe efektivët e tjerë që u paraprinin në këmbë mjeteve të tjera”, - thuhet në një dëshmi të personave që u gjendën atë ditë në Cërrik si pjesëtarë të gardës. Dëshmitari tregon se personat që qëllonin kanë qenë të dislokuar në katër pika të larta mbi ndërtesat dhe i qëllonin efektivët e policisë dhe gardistët nga katër pika të ndryshme në një zjarr të kryqëzuar. Në këtë shkëmbim zjarri u vranë edhe dy të tjerë Qemal Mehmeti 25 vjeç, efektiv i Gardës dhe Petrit Gjonaj 25 vjeç, efektiv i policisë së gatshme, e u plagosën rreth 15, mes të cilëve edhe Kuliçi. Ata tregojnë se të plagosurit janë tërhequr në mes të plumbave për të gjetur një shteg për të ikur në drejtim të Elbasanit për të shpëtuar. Ngjarjes së 23 majit në vitin ‘97-ës i është dashur rreth njëmbëdhjetë vjet pritje për të pasur një dosje dhe nxjerrë para përgjegjësisë shkaktarët e saj.