E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet e kirurgut, 6 denoncime të reja për marrje ryshfeti



Hetimet, denoncime të reja për mjekun Dautaj

Në pranga vihet edhe dhënësi i parave

Pas arrestimit të bujshëm të mjekut kirurg Kastriot Dautaj, prokurorët e çështjes kanë marrë në dorë edhe denoncime të tjera të ish-pacientëve të mjekut 66-vjeçar që kanë kryer operacione të veshkave.

Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë së kryeqytetit, sipas të cilave, vetëm gjatë ditës së djeshme janë depozituar plot katër denoncime, të cilat i janë drejtuar policisë, ku deklarohet se doktor Dautaj u ka marrë para për të kryer operacionin.

Burime policore janë shprehur gjithashtu se ndaj kirurgut ishte hapur një hetim pas denoncimit që kishte bërë një grua për heqjen e veshkës pa dijeninë e saj.

Ndërkohë që policia e Tiranës ka arrestuar në kuadër të operacionit “Veshka e humbur” edhe personin përgjegjës që i ka dhënë ryshfet. Bëhet fjalë për babain e pacientes më të fundit të 66-vjeçarit Dautaj, L. Hoxha, i cili do të përballet tashmë me akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave që kryejnë funksione publike. Ibrahim Hoxha, 54 vjeç, ka rezultuar të jetë personi që i ka dhënë shumën prej 500 mijë lekësh kirurgut urolog.

Dyshimet për përfshirjen e profesorit Dautajt në një rrjet të mundshëm trafiku

organesh nuk u provuan, por ndërkohë survejimi nxori në dritë mitmarrjen. Pasi ishin arkivuar me parë 6 denoncime, u desh operacioni i të hënës kur policia ta kapë në flagrancë me shumën prej 50 mijë lekësh që ai kishte vendosur si çmim për çdo operacion.

Hetimi i kësaj çështjeje kishte filluar disa muaj më parë, ku gjatë kësaj kohe janë vërtetuar shumë raste, ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Policia tha se nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale të hetimit ka rezultuar se kirurgu Dautaj merrte shumën e 500 mijë lekëve kundrejt një operacioni në spitalin nr. 2. Pas arrestimit, policia tha se shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private, në të cilat ishte i punësuar në punë të dytë, kundrejt përfitimeve të paligjshme.

Po kështu, mësohet se në momentin e arrestimit, Dautajt iu sekuestruan 500 mijë lekë, si dhe nga një llogari bankare në emër të tij u sekuestruan 420 mijë dollarë në një bankë të nivelit të dytë, të ardhura këto që dyshohen se kanë ardhur nga veprimet korruptive.

MSH-ja: Do të bashkëpunojmë me prokurorinë

Pas arrestimit nga organet e policisë për mitmarrje të mjekut urolog në QSUT, Kastriot Dautaj, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se mbështet dhe bashkëpunon me drejtësinë për çdo rast abuziv me detyrën. Në kuadër të zbardhjes së rastit në fjalë ky institucion do të vërë në dispozicion çdo lloj informacioni të nevojshëm. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë nuk do të marrë asnjë vendim pa përfunduar hetimet nga organet përkatëse dhe në varësi të rezultateve të hetimit, MSH-ja do të marrë edhe vendimin për rastin në fjalë.

////////////////

Pretenca

Akuzohet për abuzim me të mitura, kërkohen 8 vjet burg

Prokuroria e Tiranës deklaroi fajtor dhe kërkoi dënimin me 8 vjet burg për të pandehurin Kristaq Lena, i cili akuzohet se ka tentuar të përdhunojë dhe më pas ka shtyrë në vetëvrasje katër të mitura në Kamëz, ngjarje e ndodhur një vit më parë. Bëhet fjalë për katër vajza të moshës 10-16 vjeçe, tre nga të cilat ishin motra dhe njëra kushërira e tyre. Në dosjen e 50-vjeçarit mësohet të jenë përfshirë të gjitha deklaratat e vajzave të dëmtuara në ngjarje, deklarime që janë marrë në prani të psikologëve, relacioni, si dhe ekspertiza mjeko-ligjore e kryer. Sipas organit të akuzës, Lena ishte fqinj me familjen e të miturave dhe shfrytëzonte këtë fakt për të shkuar gjithnjë në banesën e vajzave. Sipas rrëfimit të të dëmtuarave, ai kryente veprime të turpshme me to dhe madje kishte tentuar t'i përdhunonte. “Ai vinte gjithnjë në shtëpinë tonë dhe na prekte në trup deri në zhveshjen e rrobave. Tentonte edhe të kryente marrëdhënie seksuale me ne, por nuk ia arriti dhe na kërcënonte se, nëse do tregonim, atëherë babai ynë do vriste atë dhe pastaj do futej në burg, ndaj ne heshtëm”, - mësohet të kenë deklaruar të miturat para hetuesve. Ndërsa më pas i kërcënonte se, nëse do t'u tregonin prindërve, atëherë babai i tyre do vriste atë dhe vetë do të përfundonte në burg. Të gjendura në këtë situatë, dy prej vajzave që ishin dhe motra, kanë tentuar prerjen e damarëve, por janë penguar nga prindërit e tyre. Sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur në muajt e verës në Kamëz, ndërkohë që kallëzimi është bërë nga prindërit e të miturave, të cilët kanë parandaluar edhe vetëvrasjen e tyre dhe duke zbuluar të vërtetën tronditëse. Në seancën e ardhshme pritet që avokati të paraqesë konkluzionet dhe i pandehuri të thotë fjalën e fundit para se trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari të japë verdiktin përfundimtar.

Gjykatë

Masa e falsifikatorëve, shtatë në pranga, njëri fiton lirinë

Gjykata e Tiranës caktoi dje masat e sigurisë për tetë të akuzuarit si falsifikatorë, duke lënë në burg shtatë prej tyre dhe duke caktuar masën “detyrim paraqitjeje” vetëm për njërin nga të akuzuarit, taksistin Pirro Kosta. I arrestuari që fitoi lirinë ishte shoferi, i cili ofroi garanci pasurore 3 milionë lekë. Sipas akuzës, Edmond Apostoli 48 vjeç, Ilir Fusha 53 vjeç, Mariglen Nikaj 58 vjeç, Pirro Kosta 48 vjeç, Avni Sinameta 27 vjeç, Menduh Koçi 45 vjeç, Artur Tahiri 37 vjeç dhe Julian Gina 38 vjeç, kryenin aktivitetin kriminal, i shtrirë në qytetet Tiranë, Durrës, Shijak dhe Kavajë, duke arritur marrjen e shumë porosive nga shtetas të ndryshëm, për pajisjen e tyre me dëshmi aftësie për drejtimin e automjetit, për pajisjen me leje qëndrimi italiane të falsifikuar, si dhe pajisje me dokumente të falsifikuara për makina të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Sipas hetimeve, falsifikimi i dokumenteve kryhej kundrejt shumës së parave prej 500 eurosh për pajisjen me një leje qëndrimi italiane dhe 150 euro për pajisjen me një dëshmi aftësie të drejtimit të mjetit. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe pajisje të sofistikuara, që shërbenin për lëshimin e dokumenteve false. Hetimi kishte disa muaj që kishte filluar dhe grupi u vu në pranga në kushtet e flagrancës. Po sipas akuzës, falsifikimi i dokumenteve për pajisjen me leje qëndrimi italiane kryhej kundrejt shumës 500 euro, ndërsa falsifikimi i dëshmive të aftësive përkundrejt 150 eurove. Mbi të arrestuarit janë ngritur akuzat “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, “falsifikim i letërnjoftimit, i pasaportës ose vizave”, “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “falsifikim i akteve të zyrës së gjendjes civile”, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “prodhimi i mjeteve për falsifikim”, të gjitha në bashkëpunim.

Gjykatë

Mungon i penduari, shtyhet gjyqi i Petrit Liçit

Mungesa e të penduarit Petrit Liçi ka bërë që Gjykata e Tiranës të shtyjë sërish shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim me kusht. Ashtu si dhe një seancë më parë, edhe seancën e djeshme Liçi nuk është paraqitur para gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila është caktuar me short për të shqyrtuar kërkesën e të penduarit që zbardhi vrasjet e kryera nga Banda e Lushnjes. Liçi kërkon të lirohet me kusht, ndërkohë që i kanë mbetur për të vuajtur pak muaj dënim, nga ai i dhënë rreth dy vjet më parë nga gjykata e Tiranës. Seanca e radhës për shqyrtimin e kësaj kërkese është caktuar më datë 18 të këtij muaji, ndërkohë që i penduari pritet të shoqërohet përmes masave të rrepta të sigurisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›