E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet kontrabanda, Prokuroria nuk ka hetues për krimin në dogana

05/12/2004  TIRANË -Vetëm tre muajt e fundit, Drejtoria e Hetimit në Dogana, ka çuar pothuajse çdo ditë kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës. Denoncimet bëjnë fjalë për biznese të mesme dhe të mëdha, të cilat kanë futur mallra në dogana në mënyrë të paligjshme. Tregtarët u kanë paraqitur doganave dokumentacionin e mallit që sjellin nga jashtë, duke lënë pa llogaritur më shumë se gjysmën e ngarkesës. Kjo është bërë me qëllimin që bizneset të mos paguajnë zhdoganim për të gjithë mallin që sjellin nga jashtë. Drejtoria e hetimit në Dogana, e ka klasifikuar këtë veprim si falsifikim dokumentacioni, por me të mbërritur dosja në Prokurori hetuesit kanë ngritur edhe akuzën e kontrabandës. Kjo, pasi, sipas dokumentacionit (të pavërtëtë) që bizneset kanë paraqitur në doganë, është paguar vetëm për gjysmën e mallit dhe pjesa tjetër ka hyrë pa zhdoganim.

Dosjet

Një numër prej dhjetëra dosjesh, që flasin për mallra të futura kontrabandë e që kapin një vlerë të konsiderueshme financiare, hetohen nga Prokuroria e Tiranës. Ky institucion, i ka kërkuar disa herë Ministrisë së Financave të bëjë efektivë një grup hetuesish për krimet në dogana, pasi dosjet shtohen dhe bëhen ngarkesë për oficerët e policisë gjyqësore për krime të tjera ekonomike. Edhe Prokuroria e Përgjithshme ka bërë propozimet e saj pranë Ministrisë së Financave, por, kjo ministri nuk e ka bërë ende efektive strukturën e hetuesve të specializuar për krimet që ndodhin në fushën e doganave.

Kontrabanda

Sipas shifrave të Prokurorisë së Përgjithshme, deri para tre muajve, në Prokurorinë e Tiranës, janë hetuar 35 dosje për veprën penale të kontrabandës. Por gjatë tre muajve të fundit, thuajse çdo ditë në Regjistrin Penal të Prokurorisë së kryeqytetit, kanë mbërritur kallëzime ndaj bizneseve të mëdha dhe të mesme për kontrabandë. Kjo e ka çuar në 120 numrin e dosjeve që hetohen nga Prokuroria e Tiranës, e cila nuk ka asnjë hetues të specializuar për krimet në dogana, megjithë numrin e madh të dosjeve hetimore të kësaj fushe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›