Ndalohet parkimi i automjeteve gjatë natës në Bulevardin "Zogu I"
Të gjitha automjetet që deri dje kanë gjetur "strehë" gjatë natës në bulevardin "Zogu I" nuk do ta kenë më këtë shans. Kjo për shkak se një vendim i fundit i bashkisë së kryeqytetit e ndalon këtë parkim gjatë orëve të natës e pikërisht nga ora 22:00 e mbrëmjes e deri në orën 07:00 të mëngjesit. Arsyeja që i ka detyruar drejtuesit e pushtetit vendor të Tiranës për t‘iu drejtuar një mase të tillë, duket se ka qenë cilësia e pastrimit të rrugëve. Madje, ata nuk kanë munguar që të vendosin edhe sinjalistikën që përcakton këtë kufizim në rrugë.
Kështu, dje, në një qëndrim zyrtar, zyra e marrëdhënieve për publikun në qeverinë vendore shprehet se "Bashkia e Tiranës, me qëllim rritjen e cilësisë së pastrimit në rrugët kryesore urbane, njofton qytetarët se Bulevardi "Zogu i Parë" është pajisur me sinjale rrugore që ndalojnë qëndrimin e automjeteve në të dy krahët e tij, gjatë natës, nga ora 22:00 deri në orën 07:00".
Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës u kanë kërkuar me këtë rast të gjithë qytetarëve, që të zbatojnë rregullin e vendosur. Madje, ata kanë shtuar se në rast moszbatimi, organet e qarkullimit rrugor do të marrin masat e duhura, në mbështetje të legjislacionit në fuqi. Zbatimi i këtij vendimi ka filluar që nga mbrëmja e djeshme.