Drejtoria e Burgjeve përcakton 412 të dënuarit që do punësohen në 2010
Laureta Rryçi
Rreth 412 të dënuar janë në pritje të firmës së ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani për të nisur punën e re për vitin 2010. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pohuan dje se pasi u ngrit Komisioni i Vlerësimit të Punës në Burgje u evidentuan organikat e punës për të burgosurit mbështetur në nevojat për punë të institucioneve. Miratimi i këtyre organikave nga Ministria e Drejtësisë, me një numër prej 412 të dënuarish do t’i hapë rrugë për 2010, lidhjes së kontratave të punës me të dënuarit, ku do të parashikohet shpërblimi nëpërmjet një page që do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Numri i të burgosurve të punësuar në burgje në fund të vitit 2009 ishte 685.
Pagesa
Tashmë, një i dënuar që dëshiron të punësohet nuk do të paguhet më pak se 17 mijë lekë në muaj. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përcaktuar nivelin e ri të pagesës për të burgosurit që do të punësohen nga administrata e Burgjeve ose nga biznese private. Tashmë janë përcaktuar rregullat se si do të operojnë subjektet private që kërkojnë të punësojnë të dënuar. Shumë të dënuar dhe të paraburgosur janë punësuar në këtë sistem në profesione të tilla, si: ndihmëskuzhinier, shpërndarës ushqimi, mirëmbajtës, kopshtar, mekanik, murator, pastrues, por edhe si punonjës biblioteke, duke përfituar, përveç pagesës, edhe 4 ditë në muaj ulje dënimi. Është menduar edhe për zgjerimin e hapësirave dhe mundësive të reja të punësimit për të dënuarit dhe të paraburgosurit. Për këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve parashikon bashkëpunim me biznese dhe firma të ndryshme për punësimin e personave me liri të kufizuar, jashtë institucionit ku vuajnë dënimin.
Procedura
Bizneset që duan të aplikojnë për punësimin e të dënuarve duhet të ndjekin një procedurë të caktuar. Së pari, ata duhet të paraqesin kërkesën te komisioni i vlerësimit. Kërkesa duhet të shoqërohet me një sërë dokumentesh, të cilat janë: formulari standard i plotësimit, vendimin e gjykatës të biznesit që ofron punë për të dënuarit, certifikatën e regjistrimit në organin tatimor, vërtetime nga gjykata, Prokuroria dhe Përmbarimi se biznesi në fjalë nuk ka procese penale të hapura gjatë periudhës që bën ofertën, informacione për pagesën që ofron, llojin e aktivitetit që ka dhe numrin e punëtorëve që ka të punësuar. Relacion shpjegues për llojin e punës që ofron dhe numrin e të dënuarve që kërkon të punësojë. Komisioni për rastin në fjalë duhet të marrë vendim brenda 30 ditësh nëse do ta pranojë kërkesën e biznesit për të punësuar të dënuar.
Të dënuarit mund të punësohen në rastet e mëposhtme:
Kur lidhin kontratë me burgun ku vuajnë dënimin.
Kur lidhin kontratë me të tretë shqiptarë apo të huaj, për një punë që mund të kryhet brenda ambienteve të burgut, kur për rastin në fjalë është dhënë leja nga drejtori.
Kur janë të vetëpunësuar.
Box
Pagesa për punën
Paga për të burgosurit nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale që është përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Paga përbëhet: nga të ardhurat që i jepen periodikisht të dënuarit që është punësuar nga administrata e burgut ku vuan dënimin. Këto para mund të shërbejnë për të mbuluar shpenzimet e zakonshme gjatë qëndrimit në burg.
Shuma që administrata e burgut ruan në llogarinë personale të dënuarit i jepet atij kur përfundon ekzekutimin e vendimit dhe përbëhet 10 për qind e pagës për punën.
Një shumë parash nga pagesa do të kalojë për efekt të sigurimeve shoqërore që i njihen për pension të dënuarit.
I dënuari ka të drejtë të autorizojë të afërmit e tij që të kontrollojnë llogarinë bankare personale të tij. Madje të afërmit kanë të drejtë edhe të tërheqin para, por duke lënë në llogari një shumë jo më të vogël sa gjysma e pagës minimale mujore në muaj.
Paga për punën dhe shpërblimet e ndryshme duhet të përcaktohen në kontratën që nënshkruhet në fillim mes palëve.
Drejtori i burgut, kur është punëdhënës vetë, përcakton në kontratë sanksione për të burgosurin kur puna e bërë prej tij është e një cilësie të dobët.
Paga dhe shpërblimet e ndryshme për punën do të derdhen në llogarinë personale.
Box
Komisioni i përhershëm që do të bëjë vlerësimin e punës
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në cilësinë e kryetarit të komisionit.
Një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, anëtar.
Një përfaqësues nga Ministria e Financave, anëtar.
Një përfaqësues nga ministria që mbulon fushën e punës, anëtar.
Tre përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në mbledhjen e tij komisioni është i detyruar të ftojë edhe drejtorin e burgut ku vuan dënimin i dënuarit që do të nënshkruajë kontratën.
boc
Dokumentet që duhet të dorëzojnë bizneset që ofrojnë projekte punësimi
Formularin standard të aplikimit, i plotësuar.
Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik të kërkuesit, në të cilin duhet të jetë përfshirë aktiviteti për të cilin kërkon të punësojë të burgosurit.
Certifikatën e regjistrimit në organin tatimor.
Vërtetim nga gjykata, Prokuroria, shërbimi i Përmbarimit dhe organet tatimore ku tregohet se personi i interesuar nuk është në proces gjyqësor, penal apo civil apo nuk ka detyrime ndaj tyre.
Informacion të detajuar mbi:
llojin e aktivitetit që kryen;
numrin e fuqisë punëtore të punësuar;
nivelin e pagës që ai paguan për punëmarrësit;
numrin e llogarisë bankare.
Relacion përshkrues të projektit të punës dhe të dhëna mbi:
1. numrin e punonjësve që kërkon të punësojë;
2. profesionin për të cilin do të punësohen;
3. përshkrimin e aktivitetit që do të kryejnë këta punëtorë;
4. kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës;
5. llojin e kontratës që kërkon të zbatojë;
6. nivelin e pagës që propozon për punëmarrësit e tij, të dhënat financiare të vitit të mëparshëm nëpërmjet bilancit të konfirmuar nga organet tatimore, i cili duhet të rezultojë pozitiv në mënyrë që kërkesa e personit juridik të merret në konsideratë.
25 Shkurt 2010