E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndeti në punë, Inspektorati i Punës nxjerr masat që do të marrë për vitin 2010



Jonida Tashi

Inspektorati Shtetëror i Punës nxjerr planin e masave që do të zbatojë gjatë këtij viti, për subjektet që nuk zbatojnë kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë. Sipas të dhënave të analizës vjetore të Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHP), për periudhën janar-dhjetor 2009 janë vendosur gjithsej 201 gjoba, me një vlerë totale në shumën 32 538 mijë lekë. Inspektorja e përgjithshme e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Vikrita Çuto, gjatë analizës vjetore të vitit 2009, për të gjitha drejtoritë rajonale theksoi se gjatë vitit 2010, do të forcohen masat ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk zbatojnë legjislacionin e punës. “Nëse në vitin 2009, një pjesë të rëndësishme të kontrolleve e ka zënë informimi dhe këshillimi i punëdhënësve, pa synuar marrjen e masave ekstreme në lidhje me sanksionimin e subjekteve, në vitin 2010, toleranca do të jetë zero, për të gjitha ato subjekte që nuk respektojnë kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë të punonjësve si dhe mbajnë punonjës informal”,- ka deklaruar Çuto.
Dokumentacioni
Një tjetër problem i ngritur nga inspektorja e përgjithshme e ISHP-së, gjatë analizës vjetore, ishte shqetësimi për cilësinë e plotësimit të dokumentacionit ligjor nga inspektorët e punës si: akte inspektimi, gjoba etj. Ajo ka kërkuar saktësi në vendosjen e referencave ligjore, pasqyrim të plotë të tyre, si dhe shkrimin e tyre pastër, pa korrigjime dhe të lexueshme, pasi ato janë akte juridike. Inspektorja e përgjithshme e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Vikrita Çuto dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punës, Murat Mehmeti, kanë mbledhur së fundi stafin e të gjitha drejtorive rajonale, për të analizuar ecurinë e punës gjatë vitit 2009, mangësitë në realizimin e objektivave të vendosura nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit Shtetëror të Punës, si dhe vendosjen e objektivave për vitin 2010. Inspektorja e përgjithshme, Vikrita Çuto, pasi prezantoi të dhënat e inspektimeve të realizuara gjatë vitit 2009, për të gjitha drejtoritë rajonale theksoi se megjithëse ka një rritje të numrit të inspektimeve në masën 12.5 % krahasuar me vitin 2008, për vitin në vazhdim roli i Inspektoratit të Punës duhet të forcohet ndjeshëm në të gjitha subjektet, sidomos në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës së punonjësve. Sipas saj, kjo do të realizohet nëpërmjet inspektimit, këshillimit dhe sanksionimit të gjithë subjekteve që nuk zbatojnë me korrektësi detyrimet që kanë ndaj ligjit.
Analiza
Analiza mbi arritjet në fushën e inspektimit, përmirësimi i kuadrit ligjor, forcimi institucional, monitorimi i punës së drejtorive rajonale si dhe objektivat e Inspektoratit Shtetëror të Punës për vitin 2010, ishin diskutimet kryesore në analizën vjetore të punës për periudhën janar-dhjetor 2009, për Drejtorinë Qendrore të ISHP-së. Inspektorja e përgjithshme, tha se Inspektorati Shtetëror i Punës, gjatë vitit 2009 është orientuar drejt kontrollit të aktiviteteve ekonomike që paraqesin rrezikshmëri të lartë për punëmarrësit, në forcimin e kontrollit mbi eliminimin e punës informale të fëmijëve dhe forcimin e zbatueshmërisë së legjislacionit të punës në punësimin e kësaj kategorie. “Krahasuar me vitin 2008 ka një rritje prej 12.5 % të subjekteve të inspektuara gjatë vitit 2009, ku në total janë kontrolluar 11 798 subjekte ekonomike, nga 10 485 subjekte që ishin inspektuar gjatë vitit 2008. Gjithashtu, gjatë vitit 2009 ka një përmirësim të numrit të inspektimeve në turnin e dytë, të tretë dhe në ditët e pushimit javor në masën 88%. Por, objektivi ynë për vitin 2010 është që këto shifra të jenë më të larta”,- u shpreh Çuto.

Të dhënat e analizës së vitit 2009
Konkretisht, krahasuar me vitin 2008 rezulton se:
Ka rritje të numrit të subjekteve të inspektuara në masën 12.5% nga një vit më parë.
Ka rritje të numrit mesatar të punëmarrësve për subjekt krahasuar me një vit më parë, nga 9.7 në vitin 2008 në 11 punëmarrës për subjekt në vitin 2009, duke pasur një rritje me 1.3 (punëmarrës/subjekt) në krahasim me këtë tregues për vitin 2008.
Është rritur në masën 46% numri i punëmarrësve me kontratë individuale, të evidentuar gjatë inspektimeve.
Niveli i lidhjes së kontratave individuale të punës është në masën 79.4% nga 68.8 % që rezultonte një vit më parë.

Ka rënie të numrit të punëmarrësve nën moshë të evidentuar, krahasuar me një vit më parë. Theksohet fakti se është shumë i ulët evidentimi i punëmarrësve të kësaj kategorie në periudhën e kontrollit të hotel-bar-restoranteve.
Mbi gjobat e aplikuara
Për periudhën janar-dhjetor 2009 janë vendosur gjithsej 201 gjoba, me një vlerë totale në shumën 32 538 mijë lekë.
Prej tyre, 80 gjoba ose 40% janë vendosur në subjekte me aktivitet ndërtim.
Gjobat vendosen kryesisht për shkeljet e neneve të sigurisë dhe shëndetit në punë, afërsisht rreth 63.7 % të numrit total të tyre, ndërsa të tjerat janë vënë për pengim në detyrë etj.

Masat për vitin 2010
Në analizën vjetore janar-dhjetor 2009 të Inspektoratit Shtetëror të Punës u vendosën dhe objektivat për vitin 2010, të cilat janë si më poshtë:
Forcimi i kontrollit i cili do të synojë në rritjen e numrit të inspektimeve.
Zbatimin e legjislacionit të punës, më qëllim marrjen e masave për analizimin e rrezikut (punëdhënës–punëmarrës), përmirësimin e detyruar të masave mbrojtëse nga punëdhënësit, instruktimin e punëmarrësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit të punëmarrësve ndaj rrezikut në punë.
Zbatimin e legjislacionit të punës, i cili konsiston në eliminimin e punësimit të fëmijëve në sektorë të vështirë pune.
Përmirësimin e metodës së inspektimit, duke kaluar në kontrolle të programuara. Rëndësi do t’i kushtohet rritjes së mirëqenies në punë të punonjësve, që nënkupton kushtet e mirëqenies fizike, morale dhe sociale të tyre.
Përmirësimi i vazhdueshëm i standardit të materialeve teknike të inspektimit
Përmirësimi i treguesve profesionale të inspektorëve të punës.
Përmirësim i monitorimit të procesit të inspektimit nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë së informacionit në drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të ISHP-së.
Zhvillimi dhe përmirësimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, ku do të synohet që nëpërmjet testimit të vlerësohen njohuritë e inspektorëve të punës.

Këshilli Kombëtar i Punës
Caktohet numri i përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve

Qeveria cakton numrin e përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës. Sipas vendimit të marrë dje nga Këshilli i Ministrave, përfaqësimi i organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës do të jetë, si më poshtë. Konkretisht organizatat e punëmarrësve, do të kenë këtë numër përfaqësuesish: Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) 4 anëtarë, 4 kandidatë; Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) 4 anëtarë, 4 kandidatë; Unioni i Sindikatave të Punonjësve të Shqipërisë (USPSH) 1 anëtar, 1 kandidat; Sindikata e Punonjësve të Naftës të Shqipërisë (SPNSH) 1 anëtar, 1 kandidat. Ndërsa organizatat e punëdhënësve, do të kenë përfaqësues si më poshtë vijon: Këshilli i Organizatave të Punëdhënësve të Shqipërisë (KOPSH) 2 anëtarë, 2 kandidatë; Konfederata e Këshillave të Organizatave të Punëdhënësve (KOP) 2 anëtarë, 2 kandidatë; Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH) 2 anëtarë, 2 kandidatë; Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) 1 anëtar, 1 kandidat; Konfederata e Industrialistëve të Shqipërisë (Konfindustria Shqiptare) 1 anëtar, 1 kandidat; Bashkimi i Industrialistëve dhe Investitorëve të Shqipërisë (BI&ISH) 1 anëtar, 1 kandidat; Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) 1 anëtar, 1 kandidat. Emërimi i anëtarëve dhe kandidatëve të Këshillit Kombëtar të Punës do të bëhet nga ministri i Punës, me propozimin e organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve.

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›