Trafiku, bllokohen 6 makina luksoze: Ishin të vjedhura
Zbulohet një linjë e trafikut të mjeteve të vjedhura dhe vihet në pranga organizatori i dyshuar i këtij aktiviteti kriminal. Operacioni për zbulimin e këtij aktiviteti është kryer nga uniformat blu të kryeqytetit, të cilët kanë mundur të zbulojnë dhe të bllokojnë edhe pesë automjete, që sipas Interpolit rezultojnë të jenë të vjedhura jashtë vendit. Për këtë vepër penale, policia ka vënë në pranga Dali Cejkun, i cili u zbulua gjatë operacionit të koduar "Saldimi i Fundit". Ky emër është koduar nga agjentët e antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pasi i dyshuari ndryshonte numrin e shasisë së automjeteve, duke i salduar numra të tjerë. Burimet policore shpjeguan në lidhje me këtë rast se në kuadër të operacionit policor të koduar "Saldimi i fundit", i organizuar nga seksioni i Luftës Kundër Krimit Ekonomik-Financiar, u bë arrestimi i 32-vjeçarit Dali Xhetan Cejku, lindur në Kukës dhe banues në Domje. Kapja e tij dhe më pas arrestimi u mundësua në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë, gjatë momentit të drejtimit të automjetit tip "Audi A6", me targa SH0097E, targa të cilat pas verifikimit të menjëhershëm rezultojnë të një automjeti tjetër. Ndërkohë, u ushtrua një kontroll i imtë në banesën e tij, ku iu bllokuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër automjete, për të cilat, duke bashkëpunuar me Interpol Tiranën, është kryer ekspertimi i numrave të shasisë. Nga ky ekspertim dyshohet se këto automjete janë të vjedhura. "Në banesën e 32-vjeçarit u bllokua automjeti "Mercedes Benz, seria 320 CDI", prodhim i vitit 2007, të cilit i janë vënë targat LA7344A, ku edhe dyshohet se janë falsifikuar numrat e shasisë. Veç tij, u bllokuan mjetet "Mercedes Benz, Sllon 300", prodhim i vitit 2000, të cilit i janë vënë targat TR7709K, "Wolskvagen Phaiton", prodhim i vitit 2007, të cilit i janë vënë targat BJ 606 MW, "Mercedes Benz ML", prodhim i vitit 2006, të cilit i janë vënë targat BJ606MW. Gjithë këto mjete dyshohet se janë vjedhur dhe u është ndryshuar numri i shasisë", deklaroi grupi hetimor nga policia e kryeqytetit. Policia tha se u kryen të gjitha veprimet hetimore, ndërsa materialet hetimore për këtë çështje i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve zyrtare", "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve", si dhe të "trafikim të mjeteve motorike".