Drejtues të LSI, Vlorë sigurojnë luftë ndaj papunësisë
Nën simbolikën e ditës së 1 Majit, e njohur si dita e punëtorëve në të gjithë botën, drejtuesit e LSI në qarkun e Vlorës së bashku me të rinjtë në veprim kanë hapur simbolikisht 30 vende të reja pune për pastrimin e qytetit të Vlorës. Kandidati për deputet i LSI, Shkëlqim Selami se bashku me zv/Sekretarin e Përgjithshëm të LSI, Besjan Pesha të shoqëruar nga dhjetëra të rinj për veprim kanë takuar dje dhjetëra qytetarë të papunë, të cilët e kalojnë ditën e tyre në pritje të një oferte për punë në sheshin e ashtuquajtur OMONIA në Vlorë.
Gjatë takimit, Afrimi, një nga të papunët, duke folur në emër të të gjithë të pranishmëve u tregoi drejtuesve të LSI, se si të gjitha ditët e tyre kalonin duke pritur një ofertë pune të çfarëdollojshme nga qytetarët e Vlorës me qëllim që ata të mund të siguronin disa të ardhura minimale për të ushqyer familjet e tyre. Ai tregoi se gjatë këtyre katër viteve numri i të papunëve ishte rritur tej mase dhe se në shesh kishte ditë që numri shkonte me disa qindra dhe mundësitë e tyre për tu punësuar e për të siguruar bukën e gojës sa vinin dhe uleshin. Ndërkaq, pasi u solidarizua me hallet dhe problemet e të papunëve, Selami bëri të ditur planin e LSI, për luftën ndaj papunësisë. Ne si LSI kemi një plan shumë të mirë për punësimin e shqiptarëve, plan i cili do të vihet në veprim mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, por sigurisht për tia arritur kësaj ne na duhet edhe mbështetja juaj dhe e gjithë qytetarëve.