E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, Llakatund: Aleancë strategjike mes bujkut, fermerit dhe shtetit

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar të prezantojë Programin e ri qeverisës të socialistëve, si një dokument, të cilin ai pretendon ta nisë nga zbatimi të nesërmen e fitores së synuar, në 29 Qershor. Edi Rama në turin e tij për të prezantuar këtë dokument themelor, të cilin nuk preferon ta quajë një listë premtimesh elektorale, ka qenë në ndalesën e radhës në Llakatund të Vlorës. Në këtë fshat, Edi Rama ka bërë publik disa nga pika të panit të PS për të ndryshuar fshatin. Ndërsa drejtuesit socialistë që morën fjalën në këtë takim u shprehën se Shqipëria sot vuan nga një varfëri që në zonat rurale është 50 % më e lartë se në qendrat urbane. Sipas tyre, Shqipëria sot vuan nga një varfëri që shton varfërinë, për shkak se ndaj varfërisë kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë përgjigjet e duhura nga politikat qeverisë. Nga ana tjetër, kreu socialist Rama u ndal tek ajo se çfarë do të bëjë PS nëse do të vijë në pushtet në 2009. Ne do krijojmë Ministrinë e Zhvillimit Rural, e cila do të fokusohet tek fshati, e cila do të përqendrojë të gjitha fuqitë tona intelektuale dhe financiare për zhvillimin e fshatit dhe që do të jetë në krah të të gjithë bujqve e fermerëve shqiptarë, në të gjitha komunat dhe fshatrat e vendit, vlerësoi Rama, duke shtuar se kjo do ti hapë rrugë një zhvillimi të mundur sepse këtij vendi Zoti i ka falur gjithçka që populli të jetojë në qetësi dhe në mirëqenie. Në rast se sot jetojmë në varfëri e papunësi, ky nuk është as faji i vendit as faji i popullit, por është faji i një politike të vjetër me të cilën do të ndahemi më 28 Qershor, ka vijuar më tej Rama, sipas të cilit lufta me varfërinë në zonat rurale është një luftë e vështirë, por PS e ka mision të saj përballjen me këtë armik të përbashkët, të të gjitha familjeve të ndershme shqiptare. Duhet të hapet një epokë e re,e cila duhet të fillojë me dhënien e titujve të pronësisë, për të gjithë bujqit e fermerët, me sigurimin dhe konsolidimin e tokës përmes një Kodi të ri të Tokës, dhe duhet të vazhdojë me krijimin e një aleance strategjike mes bujkut dhe fermerit nga njëra anë dhe shtetit nga ana tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›