E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta mbështet fasonistët, subvencionim dhe heqje të tatim fitimit për biznesin

Ja plani i LSI për biznesin e fasoneve
Vetëm një ditë pas alarmit të dhënë nga biznesi i fasonëve për ndikimet negative të krizë ekonomike që ka përfshirë vendin, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është pozicionuar në mbështetje të këtij biznesi. Ditën e djeshme, e cila përkonte dhe me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kreu i LSI ka shpalosur planin e forcës politike që ai drejton, për të ndihmuar këtë industri që punëson mijëra shqiptarë. Pas një përshkrimi të përgjithshëm të gjendjes kritike në të cilën ndodhet ekonomia e vendit, Meta ka bërë të ditur se plani i LSI për të përkrahur biznesin e fasonëve konsiston në subvencionimin në masën 50 %, të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit deri në dhjetor të vitit 2011 dhe njëkohësisht për heqjen e tatim-fitimit për këto biznese, deri në dhjetor të vitit 2010. Vendi është në krizë, papunësia po rritet sepse bizneset dhe  kompani të ndryshme po mbyllen dhe varfëria thellohet në familjet shqiptare dhe në shoqërinë tonë, është shprehur Meta duke nënvizuar se ende nuk ka asnjë plan qeveritar për të përballuar këtë krizë dhe për të ndihmuar bizneset që të mos falimentojnë, apo të shkurtojnë vendet e punës, edhe pse LSI prej 3 muajsh ka kërkuar nga kryeministri aktual që të paraqesë një plan të tillë në parlament. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim, duke shprehur shqetësimin pas alarmit të dhënë nga vetë fasonistët dy ditë më parë se rreth 50 kompani që punojnë me material porositës kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, ka deklaruar edhe një herë tjetër vullnetin e saj për të ndihmuar këtë biznes në këtë situatë kritike, i cili ka dhe numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat, me 80-100 mijë vetë. Kjo, sipas kreut të LSI, Ilir Meta, ka të bëjë jo vetëm me fatin e dhjetëra mijëra familjeve shqiptare, por njëkohësisht edhe për faktin se fasonët përfaqësojnë sot shumicën e eksporteve jashtë vendit. Ky plan konsiston në disa masa që kanë të bëjnë me rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së për këto lloj biznesesh, pasi ato janë në vështirësi financiare dhe së dyti në ndërmjetësimin e Qeverisë me bankat për të ristrukturuar kreditë apo borxhet e tyre, në mënyrë që këto aktivitete të funksionojnë që të ruhen nivelet aktuale të punësimit, ka shtuar Meta, duke theksuar se në mes të këtyre lehtësirave inkurajohet edhe zgjerimi i këtyre aktiviteteve që në një kohë të shkurtër të punësohen shumë më tepër shqiptarë e sidomos shqiptare, pasi dihet që numri më i madh i të punësuarve në këto lloj aktivitetesh janë vajza dhe gra.
Ankesa e fasonëve për pushtetin vendor
Vetëm dy ditë më parë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, e cila grupon Shoqatën e Prodhuesve Eksportues të Konfeksioneve prej Tekstili dhe Shoqatën Kombëtare të Prodhuesve të Këpucëve, ka vlerësuar publikisht qëndrimin e Qeverisë Shqiptare për të kufizuar rritjen abuzive të taksave ndaj biznesit të vogël, nga pushteti vendor. Sipas biznesmenëve fasonë, një ligji i miratuar së fundmi në Kuvend, shkon në drejtimin e duhur, por ai nuk ka efekt prapaveprues dhe ka dëmtuar financiarisht të gjitha subjektet e tyre. Nga ana tjetër, bizneset fasonë i kanë rikujtuar qeverisë se ata më shumë se njëherë i kishin bërë me dije opinionit publik dhe autoriteteve vendore se rritja e taksave lokale me më shumë se 1/3 e tarifës brenda vitit, (apo me rreth 400 % krahasuar me vitin 2007) në kushtet kur subjektet që prodhojnë me material porositësi, po përballen me krizën globale si rezultat i mungesës së kontratave të punës me partnerët europianë, ishte e palogjikshme, e dëmshme dhe e pamenduar. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, nëpërmjet ndërgjegjësimit mediatik, i kërkoi pushteteve vendore, në Tiranë dhe në rrethe, të mos rrisnin në mënyrë abuzive tarifat e një sërë taksash lokale. Kësaj kërkesë të logjikshme të biznesit fasonist, sidomos në Tiranë, nuk iu përgjigj asnjë prej autoriteteve përgjegjëse, duke penalizuar subjektet e biznesit të vogël, që janë duke reduktuar në masë numrin e të punësuarve të tyre dhe në kushtet e paaftësisë së dukshme paguese ndaj shtetit. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ka shprehur  shqetësimin se pavarësisht ligjit të fundit që kushtëzon rritjen e taksave dhe tarifave vendore, pushtetet lokale rritën me 200% taksën e përkohshme të gjelbër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›