E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtuesit e furgonëve 8+1 paralizojnë qarkullimin

10/03/2005  Ministri Poçi shtyn në protestë taksistët

DURRËS - Një udhëzim i ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, ka shtyrë drejt protestës drejtuesit e taksive 8+1 në Durrës. Drejtuesit e 86 taksive të licensuara kanë ndërprerë punën dje, duke shkaktuar kaos në qarkullimin interurban, dhe kryesisht në linjën Durrës-Tiranë.

Qindra udhëtarë dhe kryesisht studentë në Tiranë janë ata që e kanë pësuar të parët nga protesta e djeshme, e cila, sipas drejtuesit të saj, Xhelil Kyreziu, do të vijojë pa ndërprerje. Udhëzimi që ka dalë në mars të këtij viti nuk i është bërë i ditur sindikatës, e cila ka dalë në protestë, duke kërkuar abrogimin e nenit 2 të udhëzimit.

Sipas këtij udhëzimi, ministria ka urdhëruar që autoveturat e shërbimit taksi të kthehen bosh në vendin e origjinës. Po sipas nenit 2, autoveturat mund të marrin udhëtarë në kthim vetëm brenda territorit të rrethit, targën e të cilës ata mbajnë.

Kjo është cilësuar e padrejtë nga protestuesit taksistë, të cilët i paguajnë shtetit 240-250 mijë lekë (të vjetra) detyrime në vit. Megjithëse shkresa e ministrit Poçi thekson se udhëzimi do të marrë forcë ekzekutive 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare,

policia e qarkullimit rrugor në Tiranë dhe Drejtoria e Shfrytëzimit të Automjeteve kanë ndëshkuar në zbatim të këtij udhëzimi dhjetëra taksistë, pa u dhënë asnjë lloj shpjegimi. Kundërshtimi i protestuesve arsyetohet nisur nga dispozitat e përgjithshme, të cilat i bashkëngjiten licensës. Në pikën nr.8 të dispozitës, e cila buron nga Kodi Rrugor, thuhet se taksitë në kthim marrin udhëtarë vetëm pasi dalin jashtë juridiksionit të bashkisë përkatëse dhe se drejtuesit e furgonëve thonë se e kanë respektuar këtë pikë të dispozitës.

Ajo që mbetet e pazgjidhur mes rrugorëve dhe shërbimit taksi është edhe mosnjohja nga ana e policisë e biletës së udhëtimit të qytetarëve si dhe e rasteve kur furgoni faturohet. Policia, për të gjitha rastet kur vëren se në autoveturat që kthehen drejt vendit të origjinës ka udhëtarë, ndëshkon me gjoba drejtuesit e mjeteve dhe gjobat, sipas tyre, variojnë në shuma të mëdha deri në bllokimin e mjetit apo licensën.

Sipas protestuesve për rastin e faturimit vajte-ardhje, ata detyrohen të kthejnë në vendin e nisjes udhëtarët, por policia u ka kërkuar atyre që udhëtarët të kthehen me tren, ose me autobus, gjë që bie ndesh me faturimin dhe biletën.

Taksistët kanë deklaruar se protesta e tyre do të jetë pa afat, derisa ministria të abrogojë nenin 2, i cili, sipas tyre, favorizon targat e bardha të palicensuara dhe pa dëshmi taksisti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›