E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ministri i Brendshëm thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veç shkarkimit të liqeneve

Rifillimi i reshjeve në gjithë territorin e Shqipërisë e ka rënduar edhe më situatën në zonat e përmbytura në veriperëndim të vendit. Në një intervistë për radion BBC, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, jep të dhënat e fundit për situatën dhe masat që janë marrë dhe do të merren.
Si paraqitet situata në Shkodër dhe Lezhë?
Më duhet të them se situata është nën kontroll, pavarësisht kushteve shumë të vështira të motit. Niveli i ujit në hidrocentrale po i afrohet pikës kritike, ndaj shkarkimet po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim...
Pra s’bëhet fjalë për heqjen e situatës emergjente nga këto zona?
Jo, jo! As që bëhet fjalë! Ne jemi të angazhuar maksimalisht që dëmet të jenë minimale, por situata prej reshjeve pritet të përkeqësohet…
Përfaqësues të lartë të shtetit u kanë thënë banorëve të këtyre zonave se do t’i dëmshpërblejnë 100 për qind. Premtimi është politik, apo ju keni filluar të llogarisni dëmet?
Padiskutim! Sa të na lejojë koha, pra, të largohet uji, ne do të dërgojmë komisionet që do të bëjnë vlerësimet dhe do të dëmshpërblejmë sipas ligjit plotësisht të dëmtuarit. Të gjithë pasurinë e tyre. Deklaratat janë politike, por jo në sensin për të gënjyer!
Ju thoni se shkaqet e përmbytjes ishin natyrore, ndërsa opozita thotë se arsyeja e asaj që ajo e quan katastrofë është keqmenaxhimi i hidrocentraleve dhe prishja për qëllime të tjera e fondeve të caktuara më parë për mirëmbajtjen e argjinaturave. Si përgjigjeni?
Në fakt, Ministria e Brendshme nuk merret me argjinaturat. Por më duhet të them se nëse nuk do të ishte cilësia shumë e mirë e tyre në Shkodër dhe në Lezhë, do të ishte bërë kiameti. Nuk do të kishim 800 ha të përmbytur, por mijëra, jo 70 familje në gjendje të rënduar, por 700 të tilla. Ne jemi të tërë aty për të përballur situatën pa humbje në jetë njerëzish. Ky është qëllimi ynë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›