Sulm ndaj ish-bosit mafioz, plagoset emigranti shqiptar
Itali
Një 34-vjeçar shqiptar emigrant në Itali mbeti i plagosur pas një atentati të kryer ndaj një ish-bosi të një klani mafioz në Milano. Shkëlqim Hoxha mori një plumb në këmbë, nga tetë të qëlluara nga arma e vrasësit në drejtim të objektit të sulmit të tij. Nga atentati humbi jetën 57-vjeçari Franco Crisafulli, ndaj të cilit u qëllua, si dhe u plagosën edhe dy persona të tjerë. Shqiptari ishte duke qëndruar në ambientet e jashtme të barit për qejfin e tij dhe mësohet të mos ketë qenë në shoqërinë e bosit të mafies. Menjëherë ndaj të plagosurve u dha ndihma e parë, duke i dërguar ata në spitalin e qytetit. Emigranti shqiptar iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe tani ndodhet në gjendje të mirë. Në vendngjarje shkoi edhe policia italiane, e cila ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Sipas policisë italiane, të plagosurit e tjerë e njihnin Crisafulli-n, por nuk kishin lidhje të forta me të. “Ata gjendeshin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar”, - u shprehën hetuesit. Ata nuk kanë të bëjnë fare me viktimën dhe aq më pak me krimin e organizuar. Të plagosurit ishin jashtë bar “Quinto”-s, ku ndodhi ngjarja, kur vrasësi u afrua në këmbë nga rruga “Pascarrella”, nxori pistoletën e tij gjysmë automatike që e mbante me vete, të kalibrit 9 mm dhe qëlloi tetë herë. Përveç viktimës, plumba mori kamerieri, që u qëllua në kraharor, një klient u qëllua në krah dhe 34-vjeçari shqiptar mori një plumb në këmbë. Ai u dërgua në spitalin e San Carlo-s, për të marrë mjekimin për një plagë në këmbë. Sipas karabinierëve, vrasja e djeshme nuk ka të bëjë me larje hesapesh ndërmjet bandave mafioze në Itali. Vrasësi ishte me fytyrë të zbuluar, erdhi në këmbë dhe ishte i vetëm. Sipas hetuesve italianë, “kjo nuk është mënyra e të vepruarit të vrasësve me pagesë”. Shefi i skuadrës lëvizëse në qytetin e Milanos, Francesco Messina, nuk ka dyshim për këtë, ndaj dhe shprehet se “ka tepër pasaktësi në ekzekutim. Vrasësi për të vrarë një person ka plagosur tre të tjerë. Kjo më tepër ngjan me një vrasje, ku mund të ketë pasur një rivalitet me viktimën”. Telekamerat e lokalit kanë filmuar vetëm këmbët e personit që qëlloi. “Por ka një bashkëpunim të njerëzve tepër të madh që të çon në rrugë të mbarë në zbardhjen e çështjes. Objektivi i vrasësit ishte Franco Crisafulli, i dënuar më parë, 56 vjeç, dhe me precedentë të shumtë penalë, më të shumtat për drogë. Ai kishte dalë nga burgu katër vjet më parë. Ai u plagos për vdekje me katër plumba në fytyrë dhe kraharor. Nuk kishte më lidhje me vëllezërit e tij Alessandro dhe Biagio, të cilit kishin qenë bosë të klanit mafioz “Quarto Oggiaro” në vitet ‘70-‘80. Ky klan akuzohet për vrasje dhe trafiqe të drogës. Policia po punon për kapjen e autorit, ndërkohë që emigranti shqiptar pas ndërhyrjes së mjekëve është në gjendje të mirë shëndetësore.