Gërdeci, familjarët kërkojnë përjashtimin e tri gjyqtarëve
Katër ditë pas ndarjes në tri pjesë të dosjes “Gërdeci”, familjarët e prekur nga tragjedia e 15 marsit reagojnë duke kërkuar përjashtim nga Kolegji Penal për tre gjyqtarë, Besnik Imeraj, Irma Bala dhe Evjeni Sinoimeri. Me anë të një kërkesë me objekt përjashtimin e tre gjyqtarëve nga Kolegji Penal, familjarët e viktimave të Gërdecit kërkojnë largimin e këtyre gjyqtarëve nga gjykimi, me pretendimin se kanë konflikt interesi me çështjen. Ashtu si dhe Prokuroria e Përgjithshme, familjarët këmbëngulin mbi përjashtimin e Imerajt për konflikt interesi, Sinoimerit dhe Balës për anshmëri objektive ndaj të pandehurve. Kërkesat kanë qenë nga të njëjtët persona, por të ndara për çdo gjyqtar me argumentet përkatëse. Në tri kërkesat e dorëzuara, familjarët kërkojnë gjithashtu nëpërmjet avokates edhe vëmendjen në këtë çështje të kryetares së Gjykatës së Lartë, ndonëse zonja Shpresa Becaj e rrëzoi një kërkesë të njëjtë të prokurorisë për largimin e treshes nga Kolegji i Gërdecit. Duke qenë se Gjykata e Lartë katër ditë më parë vendosi që familjarët e viktimave të tragjedisë do të jenë pjesë e një procesi civil dhe jo palë në atë ku janë të pandehurit, të dëmtuarit theksojnë se është e drejta e tyre kushtetuese për të qenë palë edhe në procesin penal. Madje, ata sjellin edhe një praktikë të ndjekur për masakrën e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku familjarët e “Pishtarëve të demokracisë”, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu ishin palë në procesin penal, duke kërkuar zbardhjen e të vërtetës dhe procedimin e fajtorëve. Po ashtu, duke kërkuar dënimin e fajtorëve, edhe familjarët e tragjedisë së Gërdecit theksojnë në kërkesat e tyre se “si të dëmtuar dhe trashëgimtarë të viktimave, do të vijojmë të jemi palë në procesin penal, ku kërkojmë procedimin e fajtorëve”. Madje, nga ana e familjarëve të tragjedisë së Gërdecit pritet të ndërmerret edhe një tjetër hap, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për veprimet e fundit të Gjykatës së Lartë.
Kërkesat
Në tri kërkesat e depozituara në Gjykatën e Lartë, trashëgimtarët ligjorë të viktimave të Gërdecit, me cilësinë e të dëmtuarve në këtë proces penal, kërkuan përjashtimin e gjyqtarëve Besnik Imeraj, Irma Bala dhe Evjeni Sinoimeri nga gjykimi i kësaj çështjeje. Baza ligjore ku mbështetet kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Imeraj, të cilin e akuzojnë për konflikt interesi, është neni 42, pika 2 e Kushtetutës, neni 6. Sipas familjarëve, në aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit, rezulton se vajza e këtij gjyqtari, Marsela Imeraj, ka qenë e autorizuar si avokate nga administratori i shoqërisë “Albdemil” sh.p.k., që në datën 01.08.2007 të kryejë veprime në emër dhe për llogari të kësaj shoqërie pranë QKR-së. Ndërsa, për gjyqtaren Irma Bala kërkohet përjashtimi, pasi ka marrë pjesë në gjykimin në këtë gjykatë, në dhomën e këshillimit të një prej kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme gjatë hetimeve të këtij procedimi. Faktin që gjyqtarja Bala ka marrë pjesë në shqyrtimin në dhomën e këshillimit të rekursit të paraqitur nga personi nën hetim kundër Prokurorisë së Përgjithshme, për një kërkesë të kësaj të fundit gjatë hetimeve paraprake, pikërisht për vendosjen konservative më datë 14.07.2008, passjell papajtueshmërinë funksionale të saj. Gjyqtarja tjetër për të cilën kërkohet përjashtimi për shkak të papajtueshmërisë funksionale është Evjeni Sinoimeri, e cila sipas familjarëve, ka marrë pjesë në gjykimin e dy kërkesave paraprake të Prokurorisë së Përgjithshme gjatë hetimeve paraprake. Kërkesa e parë në Gjykatën e Lartë ka qenë për caktimin e masës së sigurimit ndaj personit nën hetim, Mihal Delijorgji dhe kërkesa e dytë ka qenë pjesëmarrja në dhomën e këshillimit për rekursin e paraqitur nga personi nën hetim kundër Prokurorisë së Përgjithshme, për një kërkesë të kësaj të fundit gjatë hetimeve paraprake, pikërisht për vendosjen konservative më datë 14.07.2008.
Praktika
Familjarët sjellin edhe një praktikë të ndjekur për masakrën e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku familjarët e “Pishtarëve të demokracisë”, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu ishin palë në procesin penal, duke kërkuar zbardhjen e të vërtetës dhe procedimin e fajtorëve. Duke kërkuar dënimin e fajtorëve, edhe familjarët e tragjedisë së Gërdecit theksojnë në kërkesat e tyre se “si të dëmtuar dhe trashëgimtarë të viktimave, do të vijojmë të jemi palë në procesin penal, ku kërkojmë procedimin e fajtorëve”.
Dosja “Gërdeci”, ende nuk është transferuar në Gjykatën e Tiranës
Katër ditë pas shpalljes së vendimit nga Kolegji Penal, ku u vendos ndarja në tri pjesë e kësaj dosjeje, pasi u mbajt vetëm ish-ministri Fatmir Mediu, njëra për seksionin penal të Gjykatës së Tiranës, ku do gjykohen 28 të pandehurit pa imunitetit të kësaj çështjeje dhe tjetra në seksionin civil të Gjykatës së Tiranës, e cila duhet të gjykojë paditë civile ku kërkohet dëmshpërblim, ende nuk janë transferuar fashikujt për në Gjykatën e Tiranës. Shkuarja e dosjes, hedhja e saj në short dhe gjetja e sallës që duhet të mbajë të paktën avokatët dhe të pandehurit përveç familjarëve apo mediave të interesuara, do të kërkojë kohë në këtë gjykatë, çka do të sjellë fillim e seancës së parë në korrik apo caktimin e datës për fillimin e gjyqit në shtator pas pushimeve verore të gjyqtarëve. Vendimi është marrë ditën e premte nga Kolegji Penal i kryesuar nga Besnik Ymeraj dhe anëtarët Irma Bala, Evgjeni Sinoimeri, Evelina Qirjako dhe Majlinda Andrea, të cilët shpallën moskompetencën e Gjykatës së Lartë për gjykimin e akuzave penale në ngarkim të të pandehurve Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullaj, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Ferro, Hysni Çocka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqiret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuçi, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tërshana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Sokol Ngjeci, Dritan Minxholli, Juliana Margariti, Dashnor Caushi, Hilmi Laçaj dhe “Albademil” sh.p.k. Gjithashtu, kolegji vendosi dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tyre për kompetencë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Më pas, gjykata vendosi edhe veçimin e padisë civile nga procesi penal të paditësve Nazmije Hazizaj etj., përfaqësuar nga avokatja Blerta Kraja, të legjitimuar nga organi i prokurorisë në fazën e hetimeve paraprake dhe mospranimin për shqyrtim të kërkesë-padisë së Avokatit të Shtetit dhe padive të tjera civile, duke i dërguar ato për shqyrtim nga një trup gjykues civil i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Lidhur me vendimin për mosshqyrtimin e padisë civile brenda procesit penal, me arsyetimin se do pengohej gjyqi penal, ndërkohë që nuk do ecte sa duhet procesi civil. Gjithashtu, Kolegji Penal u shpreh se palët civile do kenë mundësinë e ankimimit të vendimit në të tria shkallët e gjyqësorit.