Drejtuesit e pushtetit vendor të Dropullit falënderojnë Kryeministrin Berisha për pesëfishimin e investimeve
- Kryeministri viziton fabrikën e përpunimit të drurit dhe prodhimit të mobilieve, në Vrisera
Kryeministri Berisha po zhvillon sot një vizitë në rrethin e Gjirokastrës. Ndalesën e parë Kryeministri e pati në Vrisera, ku vizitoi një nga sipërmarrjet e njohura të zonës në përpunimin e drurit dhe prodhimit të mobilieve, fabrikën "Veko", si dhe u takua me drejtues të pushtetit vendor të komunave të Dropullit të Sipërm, të Dropullit të Poshtëm, Pogonit dhe Lazaratit.
Drejtuesit e komunave të Dropullit i shprehën Kryeministrit mirënjohjen për mbështetjen që ka dhënë qeveria në realizimin e projekteve të kësaj zone duke pesëfishuar investimet.
Kryeministri Berisha siguroi drejtuesit vendorë për mbështetjen financiare, nga ana e qeverisë, të ndërtimit të një ujësjellësi për komunën e Dropullit, si dhe i inkurajoi ata të paraqesin sa më shumë projekte në mënyrë që të bëhet e mundur gjetja e financimeve.
Kryeministri Berisha diskutoi me ta edhe lidhur me zhvillimin e bujqësisë, ku kërkoi që fermerët e zonës të shfrytëzojnë fushën e Dropullit për prodhimet bujqësore. Kryeministri garantoi drejtuesit e pushtetit vendor se qeveria mbetet e angazhuar të shndërrojë në realitet premtimin e saj për sigurimin e tregut për produktet vendase.
Kryeministri u shpreh se së shpejti do të hartohet një ligj që do të sanksionojë taksën më të rëndë për ata që lënë tokën djerrë. Ky ligj, nënvizoi Kryeministri, do t'i mundësojë komunave të japë me qera tokat kundrejt një interesi.
Duke vënë theksin tek potencialet e mëdha turistike, Kryeministri u shpreh se Saranda, Gjirokastra, Delvina dhe Tepelena duhet të organizojnë linja transporti të përshtatshme për të çuar turistët në pikat turistike dhe kulturore të këtyre trevave. Ne, - tha Kryeministri - do të ndërmarrim reklama të fuqishme në mediat botërore, të cilat duhet të shndërrohen në detyrime për krijimin e kushteve për zhvillimin e turizmit. Ne duhet t'u japim mundësi turistëve të vizitojnë pikat turistike dhe kulturore.
Kryeministri Berisha vizitoi gjithashtu një nga sipërmarrjet e njohura të zonës fabrikën e përpunimit të drurit dhe prodhimit të mobilieve "Veko". Ai përgëzoi drejtuesit e saj për këtë sipërmarrje moderne, ndërsa shprehu angazhimin maksimal të qeverisë në krijimin e një klime sa më tërheqëse ndaj investimeve të huaja dhe vendase. Kryeministri e cilësoi këtë angazhim si objektivin më madhor të qeverisë, i cili po ecën drejt realizmit me shpejtësi.
Viti 2007, - tha ai, - ishte viti i vërshimit të kompanive të mëdha botërore drejt Shqipërisë, duke nënvizuar se projektet e tyre arrijnë në miliarda euro. Vetëm në industrinë e prodhimit të çimentos, qeveria ka miratuar mbi gjysmë miliardë euro investime, ndërkohë që shumë kompani të tjera janë në proces e sipër.
Kryeministri u shpreh se prezenca në Tiranë e dy prej bankave më të mëdha në Europë dhe në botë, Societe Generale dhe San Paolo Imi, si dhe hyrja në Shqipëri e dy kompanitë e mëdha të sigurimeve, ASPI dhe UNIKA, dëshmojnë interesin e madh të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Kryeministri tha se po bëhet një revolucion i vërtetë fiskal, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Në muajin shtator fillon funksionimi i "One Stop Shop" për regjistrimin e biznesit brenda ditës dhe së shpejti qeveria do të ndërmarrë nismën "One Stop Shop" për liçensat.
Duke folur rreth situatës energjetike në vend, Kryeministri Berisha tha se energjia nuk i ka munguar biznesit dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet që, me anë të buxhetit të shtetit dhe iniciativave private, të mundësohet prodhimi i energjisë termike.
Drejtuesit e fabrikës "Veko" i dhuruan Kryeministrit një ikonë në Shën Mërisë, të cilën Kryeministri e vlerësoi frymëzuese.
Në këto takime, Kryeministri Berisha shoqërohej nga prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Genc Ruli, ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Kosta Barka.