E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha premton se qeveria do të investojë për rigjallërimin e vlerave kulturore të Gjirokastrës

- Kryeministri viziton Zyrën e Koordinimit të UNESCO-s për Gjirokastrën

Kryeministri Berisha pati një takim në bashkinë e Gjirokastrës me kryetarin e saj, zotin Flamur Bime dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkie, me të cilën diskutoi për projektet e qeverisë për Gjirokastrën, ruajtjen e vlerave muzeale të këtij qyteti, procesin e decentralizimit dhe zhvillimin e turizmit.

Kryetari i bashkisë falënderoi Kryeministrin për vizitën dhe vëmendjen ndaj Gjirokastrës dhe paraqiti disa nga projektet më të rëndësishme për qytetin.

Kryeministri vlerësoi të një rëndësie të veçantë projektin për rigjallërimin dhe ripërtëritjen e zonës muzeale të qytetit, në kuadër të restaurimin e trashëgimisë kulturore. Pjesë e këtij projekti është edhe universiteti i ri i Gjirokastrës, i cili do të ngrihet në zemër të kësaj zone, në bashkërendim edhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës me qëllim ruajtjen e vlerave muzeale të saj. Kryeministri garantoi zotin Bime se qeveria do të mbështesë me përparësi dhe me financimet e nevojshme edhe ndërtimin e shëtitores kryesore të qytetit.

Një tjetër çështje e diskutuar në takim ishte edhe procesi i decentralizimit të ujësjellësave, ligji i partneritetit publik, privat dhe ai për koncesionet. Kryeministri tha se në të gjitha takimet me drejtuesit e pushtetit vendor ka kërkuar që ata ta shqyrtojnë me hollësi këtë ligj, pasi ai u jep atyre të drejtën të jenë autoritete kontraktuese të dhënies së pasurive që administrojnë.

Një vend të veçantë në takim iu kushtua turizmit, duke ndarë të njëjtin vlerësim se Gjirokastra ka shumë për t'u ofruar turistëve. Kryeministri sugjeroi ngritjen e një guide turistike dhe angazhimin e të gjitha agjencive turistike për promovimin e vlerave kulturore të qytetit.

Kryeministri garantoi zotin Bime për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes pushtetit qendror dhe atij vendor për përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Gjirokastra është një ndër qytetet kryesore në jug të vendit, me pasuri të mëdha njerëzore, kulturore, historike dhe zhvillimi i saj ka rëndësi të madhe edhe për zhvillimin e turizmit. Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë me pushtetin vendor, pavarësisht forcave politike që i përkasin, për qëllimin e përbashkët të zhvillimit të komuniteteve që ju drejtoni dhe të mbarë vendit, u shpreh Kryeministri. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, tha Kryeministri, një javë më parë i kam kërkuar ministrisë së Transporteve të Bashkëpunojë me bashkinë e Tiranës për unazën e re te qytetit, sikundër kam pritur kryetarin e bashkisë së Beratit.

Më pas, Kryeministri vizitoi Zyrën e Koordinimit të UNESCO-s për Gjirokastrën, e cila do të koordinojë të gjitha projektet e restaurimit dhe konservimit të vlerave të mëdha të këtij qyteti. Kryeministri tha se qeveria ka vendosur një fond dhe është e gatshme ta rrisë atë, në përputhje me kërkesat e UNESCO-s. Për ruajtjen e vlerave të qytetit po veprohet në dy drejtime paralele, konservimin e vlerave kulturore dhe arkitekturore të qytetit dhe rivitalizimin e zonës muzeale.

Pjesë e projektit për rigjallërimin e qendrës së qytetit, është edhe kalimi gradual i institucioneve drejt saj. Kjo ka filluar me kalimin e disa institucioneve si ai i KESH-it dhe më vonë edhe me zyra të tjera.

Në përfundim të qëndrimit në Gjirokastër, Kryeministri Berisha vizitoi zonën muzeale dhe u takua e bashkëbisedoi me banorë të saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›